Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka thënë se si institucion i kanë marrë me shqetësim dyshimet për shkelje të procedurave në rastin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Në konferencën e fundvitit, Qelaj tha se është i shqetësuar sa i takon pretendimeve të ekipeve mbrojtëse të ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimi.
Muajve të fundit ekipet mbrojtëse kanë ngritur dyshime për animin që sipas tyre paneli i gjykatësve po tregon në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së.
Qelaj tha se ka komunikuar me Avokatin e Popullit që vepron në kuadër të Dhomave të Specializuara për këto shqetësime porse ai, sipas tij, nuk ka shprehur interesim për bashkëpunim.
“Kam parë që nuk ka shprehur interesim për një bashkëpunim edhe për më tepër nuk ka ofruar as informata të cilat mund të jenë publike. Ai është thirrur gjithmonë në konfidencialitet…Ka një mbyllje të plotë të atij institucioni në raport me mua si Avokat i Popullit dhe besoj edhe me publikun”, deklaroi Qelaj.
Në muajin nëntor, ekipet mbrojtëse dorëzuan në Dhomat e Specializuara shkresa zyrtare në emër të klientëve të tyre duke shprehur shqetësimet për gjykim të padrejtë dhe me shkelje të parimeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Në kuadër të Dhomave të Specializuara vepron një Avokati i Popullit.
“Roli i tij është monitorimi, mbrojtja dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në uebfaqen e këtij institucioni.