-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kushtetuesja vulosi paktin Rama-Berisha për listat e mbyllura, si do të votohet në 2025-ën?

Kryesoret

Gjykata Kushtetuese vulosi sot ndryshimet mes PS-PD që u bënë në fund të muajit korrik në Kodin Zgjedhor për listat. Partitë e vogla e çuan ligjin në Kushtetuese me shpresën e shfuqizimit të ndryshimeve të reja që blindonin 1/3 brenda listës me vende të sigurta dhe 2/3 e kandidatëve ishin në garë të hapur për një vend në Kuvend. Por gjykata thekson se nuk shikon shkelje apo cenim të barazisë.

“Gjykata nuk konstatoi as cenim të parimit të barazisë përpara ligjit si për partitë politike ashtu dhe për organizatat dhe individët në dy aspektet e mësipërme, së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, për sa kohë që në analizë të pretendimeve të kërkuesve dhe të dispozitave objekt shqyrtimi, rezultoi se parashikimet ligjore i drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithë subjekteve zgjedhore dhe zgjedhësve, prandaj, për rrjedhojë, nuk bëjnë diferencim mes tyre në procesin e votimit” thotë Kushtetuesja.

Por si do të votohet tani?

Me formulën e re 1/3 e listës shumëemërore të kandidatëve do të jetë e mbyllur dhe do të caktohet nga kryetari i partive, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi për votë parapëlqyese në 2/3 e mbetur të listave për çdo parti politike.

Sipas ndryshimeve ligjore, shumica dërrmuese e deputetëve në parlamentin e ardhshëm do të emërohen nga kryetarët e dy partive të mëdha, Edi Rama dhe Sali Berisha – një lëvizje që shënon një hap mbrapa krahasuar me zgjedhjet e shkuara parlamentare të vitit 2021.

Kushtetuesja vulosi paktin Rama-Berisha, si do të votohet në 2025-ën?

VENDIMI I PLOTE

“Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues shtatë parti politike, një organizatë dhe katër individë[1], me objekt shfuqizimin e neneve 67 dhe 163, pikat 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe interpretimin përfundimtar të nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimin e tij.

Sa i takon pretendimit për interpretimin e nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimin e tij, Gjykata vlerësoi se interpretimi në vetvete i dispozitës kushtetuese nuk bëhet i shkëputur nga themeli i çështjes, prandaj do të analizohet së bashku me pretendimet e ngritura nga kërkuesit; ndërsa shfuqizimi i kësaj dispozite kushtetuese, nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, pasi sipas nenit 131, pika 2 të Kushtetutës, Gjykata ka juridiksion të kufizuar vetëm për kontrollin e respektimit të procedurës së parashikuar nga Kushtetuta, ç’ka nuk është pretenduar nga kërkuesit.

Lidhur me themelin e pretendimeve, Gjykata vërejti se kërkuesit kanë pretenduar se neni 67, pika 1 i Kodit Zgjedhor duke vendosur lidhëzën “dhe” midis shkronjave “a” dhe “b” të saj përcakton detyrimin e subjekteve zgjedhore për paraqitjen e dy listave shumëemërore, atë me renditje të fiksuar dhe atë me kandidatë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes duke cenuar parashikimin e nenit 64, pika 3 të Kushtetutës.

Gjykata mori në shqyrtim pretendimet e palëve për cenimin e së drejtës së votës, në dy aspekte, së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, të parashikuar në nenet 45 dhe 64 të Kushtetutës, të lidhur me parimin e barazisë përpara ligjit. Gjykata vlerësoi se pretendimet e kërkuesve nuk janë të bazuara sepse lidhen me rezultat e votimit, që i korrespondon shpërndarjes së mandateve, ndërsa sipas nenit 64 të Kushtetutës, kjo shpërndarje dhe masa e shtrirjes së votimit parapëlqyes i është deleguar ligjvënësit, ndërkohë që garancia kushtetuese për ushtrimin e së drejtës së votës parapëlqyese në nenin 64, pika 3 të Kushtetutës lidhet me procesin e votimit.

Bazuar po në këtë premisë, Gjykata nuk konstatoi as cenim të parimit të barazisë përpara ligjit si për partitë politike ashtu dhe për organizatat dhe individët në dy aspektet e mësipërme, së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, për sa kohë që në analizë të pretendimeve të kërkuesve dhe të dispozitave objekt shqyrtimi, rezultoi se parashikimet ligjore i drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithë subjekteve zgjedhore dhe zgjedhësve, prandaj, për rrjedhojë, nuk bëjnë diferencim mes tyre në procesin e votimit.

Sa i takon pretendimit të llogaritjes së numrit të kandidatëve të listës me renditje të fiksuar në varësi të presjes dhjetore më të vogël ose më të madhe se 0.5 të parashikuar në pikën 2 të nenit 67 të Kodit Zgjedhor, Gjykata vlerësoi se pretendimet e kërkuesve janë të pabazuara. Për të arritur në këtë përfundim, Gjykata mbajti në konsideratë se lista shumëemërore e subjekteve politike përbëhet nga lista me renditje të fiksuar dhe lista që i nënshtrohet votimit parapëlqyes (neni 67, pika 1 i Kodit Zgjedhor). Kjo e fundit si komponent i listës shumëemërore të subjekteve politike garanton parashikimin kushtetues të nenit 64, pika 3 “ që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohet jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore”.

Për sa i përket pretendimit të kërkuesve për procedurën e miratimit të ligjit, Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2 të Kushtetutës, të detajuar në nenin 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash:

  • Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit