Në emisionin Max Sport në Euronews Albania foli në një lidhje direkte nga Kavaja komentatori i vjetër sportiv Fatmir Efica. Gjatë bashkëbisedimit me moderatorin Altin Sulçe ai kujtoi një episod të vitit 1985 kur në stadiumin e Besës së Kavajës ishte e pranishme në mes të 10 mijë tifozëve dhe këngëtarja Parashqevi Simaku.
“Parashqevi Simaku vinte në stadium dhe ishte tifoze vetëm me një ekipi, që ishte Besa e Kavajës. Unë kujtoj një ndeshje të 31 Gusht 1985 ku Apolonia vinte në Kavajë në stadiumin Besa dhe kishte një super lojtar, një super yll që quhej Kujtim Majaci.
Kujtoj si tani që Parashqevia atë ditë në stadium kishte ardhur të ndiqte dy palë yje, yje të shumtë nga Besa dhe një yll të madh nga Apolonia dhe kujtoj që para ndeshjes kur kemi prezantuar formacionet, stadiumi ka qenë me mbi 10 mijë tifozë ku nga këta rreth 3 mijë kishin udhëtuar nga fieri me një tren special. Ishte një jehonë e jashtëzakonshme kur kemi prezantuar Parashqevinë”, kujton komentatori sportiv Efica.
Ai thotë se ky sensibilizim i madh i qytetarëve për artisten kavajase është pozitiv sepse sipas tij ajo lindi dhe u formua në këtë qytet dhe ABC e muzikës dhe talentit e konfirmoi në këtë Kavajë ndërsa ndau lajmin se dhe bashkia është vënë në lëvizje për këtë situatë.
“Për Parashqevi Simakun vijnë sinjale të mira ku kryetari i Bashkisë së Kavajës ka sinjalizuar Këshillin Bashkiak që nëse ajo do të kthehet në qytetin e saj të lindjes do ti krijohen kushte ideale për ta shijuar jetën pse jo edhe ti rikthehet talentit dhe muzikës ku ajo ka dhënë shpirtin për këtë pjesë”, tha Efica. Fatmir Efica është gazetar, radiokronist dhe staticieni i vjetër sportiv nga Kavaja.