Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë pjesën më të madhe të qarkut Kukës, të shoqëruara me erë të fortë. Dëbora ka pasur intensitet më të ulët, ndërsa reshjet e shiu kanë ndodhur gjatë ditës.
Të gjitha akset rrugore që lidhin bashkitë e qarkut me njësitë administrative janë të kalueshme, ndërsa punonjësit e kontraktorëve po vazhdojnë pastrimin e borës dhe kriposjen e rrugëve për të siguruar kalueshmërinë e mjeteve. Rrugët drejt pikave doganore janë gjithashtu të hapura dhe nuk raportohet për probleme të mëdha në qarkullim.
Në rrugën e Kombit, nga Tuneli i Kalimashit deri në Morinë, borëpastrueset kanë bërë punë intensive që nga orët e para të mëngjesit për të lehtësuar qarkullimin. Sipas A2, nga bashkitë e Kukësit, Tropojës dhe Hasit nuk ka pasur raporte për situata emergjente. Ndërkohë, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra të thella, por strukturat e OSHEE janë angazhuar për rikthimin e furnizimit me energji.