Rusia ka lëshuar dhjetëra raketa dhe dronë kundër sistemit energjetik të Ukrainës në ditën e Krishtlindjeve, një sulm që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti “çnjerëzor”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, reagoi menjëherë, duke dënuar veprimin dhe kërkuar nga ekipi i tij i mbrojtjes që të vazhdojnë dërgesat e armëve për Ukrainën.
“Qëllimi i këtij sulmi të egër ishte të ndërpresë aksesin e popullit ukrainas në ngrohje dhe energji elektrike gjatë dimrit dhe të rrezikojë sigurinë e rrjetit të tij”, tha Biden.
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar deri tani 175 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, por të ardhmen e financimit të mëtejshëm e ka vënë në dyshim presidenti i zgjedhur, Donald Trump, i cili ka sugjeruar se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për dërgesat e armëve dhe mbështetje të tjera për Ukrainën.