I dashur Babagjysh,
Meqë po vjen fundi i vitit dhe ti je i vetmi që mban ende premtime në këtë nahinë tonë, mendova të të dërgoj një listë dëshirash për qeverinë tonë fort të dashur. Nuk janë shumë. Një për çdo muaj.
- Një tufë premtimesh të reja që të duken të sinqerta, sepse tani që jemi afër zgjedhjeve dhe premtimet e vjetra janë konsumuar aq shumë sa po na duken të gjitha copy-paste nga vitet e shkuara.
-
Një buxhet transparent! Jo shumë transparent, por aq sa të mos duket si magji zhdukja e parave.
-
Një app për korrupsionin! Një të thjeshte, praktik dhe që të na kursejë pyetjen e bezdisshme: ku shkojnë paratë?
-
Një ferman që ndalon ndërtimet e (kullave) për një vit. Po aq sa TikTOK thjesht për të kuptuar nëse qeveria di të bëj ndonjë gjë tjetër përveç betonizimit.
-
Një ligj për ndalimin e gënjeshtrave në fushate. Meqë jemi në kohë ndalimesh, ndoshta ndalojmë dhe gënjeshtrat.
-
Një fushatë zgjedhore pa këngë tallava dhe sidomos të lutem na e kurse këngën “Po ku ka si ti moj Shqipëria ime”. Është këngë që e pëlqejnë të gjithë, por ndryshe përjetohet nga ministrat e ndryshe nga populli.
-
Më shumë hapësira të gjelbra, ose të paktën, Babagjysh, më shumë piktura murale me pemë mbi beton.
-
Një manual për ndershmërinë në qeveri e administratë, me ilustrime, se ndoshta vetëm fjalët nuk i kuptojnë.
-
Një manual për lirinë e fjalës: Për t’i mësuar të gjithë se si të reagojnë ndaj kritikave pa fshirë komentet në Facebook, pa bllokuar dhe pa raportuar zërat kritike dhe pa mbyllur platformat e rrjeteve sociale.
-
Një makinë kohe për opozitën: Që të kthehen në një epokë kur kishin një ide të qartë se çfarë donin të bënin.
-
Një orë me zile për qeverinë që të zgjohet kur populli proteston. Se duket sikur është gjithmonë në gjumë.
-
Një robot të përgjegjshëm në mënyrë që kur diçka shkon keq, të mos dëgjojmë më “fajin e ka TikTok-u, opozita, ose qytetarët.” Roboti të ngrejë dorën dhe të thotë pa u dridhur nga bateritë: “E kam unë fajin”.
12 dëshira mund të duken shumë, por ti ke qenë gjithmonë zemërgjerë (ose të paktën kështu thonë fëmijët). Po të mos i plotësosh të gjitha dëshirat, të paktën sigurohu që të na mbash me gajret. Eshtë e vetmja gjë që nuk mund të na marrin.
Shumë faleminderit.
Nga një qytetar që nuk ka llogari për të dhënë dhe as llogari në TikTok