Partia ‘Lëvizja për Zhvillim Kombëtar’ dhe partia ‘Djathtas 1912’ kanë paraqitur ditën e sotme, në një konferencë të përbashkët të drejtuesve të tyre, platformën për ndërtimin e një koalicioni zgjedhor për zgjedhjet e vitit 2025.
Kryetarët Dashamir Shehi dhe Enkelejd Alibeaj gjatë fjalës së tyre theksuan se sot demokracia në Shqipëri ndodhet në një moment të rrezikshëm dhe përfaqësimi i qytetarëve mbetet i kufizuar.
Ata ftuan të gjitha forcat politike që qëndrojnë jashtë spektrit të Sali Berishës e Ilir Metës dhe që ndajnë parime të njëjta me ta, të bëhen pjesë e këtij koalicioni.
Sipas tyre, proçesi i ndërtimit të këtij koalicioni do të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës, duke angazhuar politikën dhe qytetarët në mënyrë të barabartë.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe bashkëkryetari i LZHK-së, z. Ekrem Spahiu dhe Edvin Kulluri dhe deputeti Arbi Agalliu.
Deklarata e përbashkët për shtyp e LZHK dhe ‘Djathtas 1912’:
Shqipëria ndodhet në një moment kyç të zhvillimit të saj historik. Demokracia dhe sistemi i pushtetit publik po kalojnë një krizë të thellë të legjitimitetit, ndërsa përfaqësimi qytetar mbetet i kufizuar dhe vullneti i qytetarëve nuk reflektohet në proçeset e vendimmarrjes.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, përmes ndryshimeve të fundit në ligjin zgjedhor, kanë krijuar dhe konsoliduar një sistem zgjedhor të mbyllur, i cili për më shumë se tre dekada ka mbajtur vendin në një model politik dhe ekonomik të dështuar e të korruptuar. Kodet Zgjedhore që prej vitit 2008 e kanë nxjerrë Kuvendin e Shqipërisë nga roli i tij kushtetues i kontrollit mbi qeverinë.
Gjatë këtyre 34 viteve, Shqipëria ka mbijetuar falë shpresës së qytetarëve të saj. Por, kjo shpresë nuk mund të vazhdojë të keqpërdoret. Shoqëria shqiptare ka nevojë urgjente për ndërtimin e një shteti të së drejtës, të mbështetur nga një sistem drejtësie i pavarur, që ndëshkon korrupsionin politik dhe lufton krimin e organizuar. Përmbushja e këtij qëllimi kërkon një angazhim të qartë dhe të palëkundur politik, veçanërisht në Kuvendin e Shqipërisë.
Një marrëdhënie më e thellë dhe më transparente me partnerët ndërkombëtarë është thelbësore për përshpejtimin e integrimit evropian. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm të këtij proçesi. Për të ecur përpara, kërkohet një pakt i ri dhe gjithëpërfshirës me qytetarët, që promovon një kulturë të re politike, me dialog të hapur dhe përfshirje të plotë të tyre në vendimmarrje.
Në kushtet kur grupimet kryesore politike kanë mbyllur listat zgjedhore dhe kanë forcuar një sistem që favorizon qeverisjen autoritare dhe të korruptuar, është thelbësore të ndërmerret një veprim i përbashkët dhe i vendosur. Të gjithë ata që mbështesin hapjen e listave zgjedhore dhe ndajnë vlerat e demokracisë duhet të bashkohen në një koalicion të gjerë dhe të fuqishëm parazgjedhor.
Partia “Djathtas 1912”, LZHK dhe forca të tjera politike kanë përdorur çdo mjet ligjor dhe institucional për të garantuar respektimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Përpjekjet tona në Gjykatën Kushtetuese për të rikthyer Kodin Zgjedhor në përputhje me Kushtetutën dhe për të hapur listat zgjedhore nuk arritën rezultatin e dëshiruar. Kjo përbën një mundësi të humbur për demokratizimin e vendit dhe për rrëzimin e një sistemi politik të dështuar.
Megjithatë, mundësitë për ndryshim mbeten të hapura. Shoqëria shqiptare kërkon me urgjencë një transformim politik dhe social. Duke u frymëzuar nga ky moment dhe kërkesat e qytetarëve, ne sot paraqesim publikisht një platformë për krijimin e një koalicioni të gjerë, të bazuar në vlerat e demokracisë, përfaqësimit dhe përfshirjes qytetare.
Kjo platformë është një apel për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë, publikë dhe qytetarë që dëshirojnë të kontribuojnë në ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë dhe më të mirë. Synimi ynë nuk është vetëm përmirësimi i ofertës politike, por edhe konkretizimi i saj në një koalicion të gjerë që reflekton kërkesat e qytetarëve për ndryshim.
Dokumenti që prezantojmë sot synon të nxisë një debat të gjerë publik dhe politik mbi modalitetet dhe objektivat e këtij koalicioni. Ai mbetet i hapur për komente, sugjerime dhe përmirësime nga të gjithë ata që ndajnë vlerat themelore të demokracisë dhe ndiejnë urgjencën për transformim.
Proçesi i ndërtimit të këtij koalicioni do të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës, duke angazhuar politikën dhe qytetarët në mënyrë të barabartë.
Faleminderit opinionit publik dhe mediave për mbështetjen tuaj në këtë rrugëtim të rëndësishem për Shqipërinë!
Platforma (draft) për ndërtimin e koalicionit zgjedhor
Preambula
Në prag të fushatës zgjedhore të vitit 2025, ne, një grup subjektesh politike, lëvizje politike, organizata politike, grupe interesi dhe aktivistë të jetës publike, duke besuar: Se Shqipëria është në një fazë kritike të historisë së zhvillimit të saj dhe pushteti publik shfaq defiçit të rëndë të legjitimitetit demokratik, dhe se në Parlamentin e vitit 2025 qytetarët duhet të përfaqësohen realisht dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet; Se grupimet politike të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike me miratimin në korrik 2024 të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, kërkojnë ta mbajnë Shqipërinë në gjendjen 34 vjecare të një sistemi zgjedhor të mbyllur e të kontrolluar prej tyre, me synim mbajtjen në këmbë të një sistemi të dështuar ekonomik dhe politik se përpjekja jonë institucionale para Gjykatës Kushtetuese, për kthimin e Kodit Zgjedhor në përputhje me Kushtetutën për kthimin efektiv të së drejtës së votës tek zgjedhësi shqiptar nëpërmjet hapjes së listave të kandidatëve për deputetë nuk dha rezultatin e dëshiruar, duke qenë ky një shans i humbur në demokratizimin e mëtejshëm të vendit dhe për shembjen e sistemit politik të ndërtuar në 34 vjet në Shqipëri; Se Shqipëria ka nevojë për një demokraci funksionale, ku pushtetet të jenë realisht të ndara dhe të balancuara, ndaj ndryshimi i modelit politik, përtej rotacionit qeverisës, është një domosdoshmëri; Se sistemi zgjedhor është i pabarabartë mes partive politike.
Ai rrezikon të deformojë vullnetin e zgjedhësve dhe të prishë garën e hapur, duke krijuar rezultat të pandershëm në favor të partive të vjetra që kanë dominuar skenën politike prej dekadash dhe që janë bashkëautore të këtij sistemi zgjedhor; Në rëndësinë historike që ka votimi për herë të parë i shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë shtetit dhe duke ndarë bindjen se diaspora duhet të përfaqësohet realisht në Parlament; Se ofertat dhe alternativat e reja dhe të ndershme politike, së bashku me proçesin e qarkullimit të elitave politike janë kërkesa të qarta të qytetarëve shqiptarë. Për këtë qëllim, duhen krijuar hapësirat e duhura për partitë, grupimet, lëvizjet e reja politike dhe figurat publike, dhe se modeli politik duhet të reformohet në thellësi; Se proçesi i integrimit evropian ka nevojë për një pakt efektiv me qytetarët shqiptarë dhe ndryshim të mendësisë politike, duke forcuar dialogun politik me njerëzit dhe për njerëzit; Se vlerat themelore të secilës parti janë më të rëndësishme se sa ide të veçanta programore që na ndajnë dhe se koalicioni bazohet në respektin e ndërsjelltë për identitetin social, politik dhe programor të anëtarëve të tij; Kemi rënë dakord për këtë platformë për formimin e një koalicioni politik zgjedhor
I. Vlerat themelore
- Demokracia funksionale, shteti i së drejtës, si dhe dinjiteti i njeriut dhe liritë themelore të tij janë baza e koalicionit, të cilat ai angazhohet t’i mbrojë dhe të kontribuojë në realizimin e tyre.
-
Pjesmarrja në zgjedhje duke garuar me lista të hapura u kthen pushtetin vendimmarrës dhe të përzgjedhjes së deputetëve qytetarëve shqiptarë.
-
Mbështetja reale për sistemin e drejtësisë, edhe pse nuk është perfekt, dhe se ka ende disa probleme funksionale dhe strukturore. Megjithatë, ecuria e sistemit të drejtësisë është orientuar në rrugën e duhur, e për pasojë sistemi në tërësi, dhe SPAK dhe GJKKO në veçanti, duhen mbështetur në veprimtarinë e tyre si një nga aleatët më të mirë të shqiptarëve dhe opozitës në luftën kundër korrupsionit politik, qeveritar e zgjedhor dhe në luftën kundër krimit të organizuar.
-
Marrëdhëniet normale dhe funksionale me partnerët ndërkombëtar janë të një rëndësie të veçantë për opozitën dhe për çdo parti politike në Shqipëri. Mbështetja e përbashkët për sistemin e drejtësisë, qëndrimi i vazhdueshëm mbështetës për ecjen përpara të shtetit shqiptar në rrugën e integrimit Europian dhe ndërkombëtar, roli paqtues në klimën tejet të polarizuar politike në Shqipëri, ushtrimi i presionit pozitiv ndaj qeverisë dhe mbikqyrja e kësaj të fundit në bashkëpunim me partitë opozitare e bëjnë faktorin ndërkombëtar një partner të domosdoshëm për opozitën në tërësi. Ruajtja dhe përmirësimi i këtyre marrëdhënieve përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve të vitit 2025 është parim kryesor për ndërtimin e koalicionit.
II. Demokracia funksionale – sistemi zgjedhor
- Edhe pse sistemi zgjedhor është i pabarabartë, koalicioni angazhohet të bëjë çdo gjë për t’i ardhur sa më afër vullnetit real të qytetarëve, që Kuvendi i ardhshëm të jetë përfaqësues i vërtetë i tyre dhe zëri i qytetarëve të dëgjohet.
-
Koalicioni do të konkurojë në zgjedhje me sistemin e listave të hapura. Partitë anëtare do të përcaktojnë, duke ruajtur interesin e përbashkët të koalicionit, numrin e përfaqësuesve në listat e kandidatëve duke ruajtur identitetin partiak për çdo kandidat. Raportet përfaqësuese në listën e përbashkët, do të jenë të harmonizuara në çdo zonë zgjedhore dhe do të zgjidhen me konsensus duke synuar optimizimin e votës së koalicionit.
3. Koalicioni garanton për diasporën të paktën një vend në çdo zonë zgjedhore.
- Financimi i partive dhe i anëtarëve të koalicionit do të ndjekë parimet e transparencës, si dhe rregullat e legjislacionit në fuqi e praktikat më të mira Evropiane. 5. Koalicioni angazhohet të mos përfshihet në praktika të cilat bien ndesh me parimet e zgjedhjeve të lira e të ndershme, moralitetit politik dhe korrektësisë ligjore, në fushatë. Për përmbushjen e këtyre angazhimeve, anëtarët e koalicionit do të zbatojnë Kodin Etik të fushatës zgjedhore, që i bashkëlidhet dhe është pjesë e kësaj platforme.
III. Shteti i së drejtës – ndarja e pushteteve dhe sistemi i drejtësisë
- Partitë politike anëtare të koalicionit dhe kandidatët respektivë për deputetë do të promovojnë shtetin e se drejtës dhe sundimin e ligjit, përgjatë gjithë veprimtarisë së tyre politike zgjedhore.
-
Përgjatë fushatës zgjedhore, kandidatët e koalicionit dhe partitë politike pjesëmarrëse, do të angazhohen në lehtësimin dhe mbështetjen e organeve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit, për parandalimin, identifikimin dhe ndëshkimin e krimit zgjedhor, me synimin e mbrojtjes së votës së lirë të qytetarëve.
-
Partitë politike, pjesëmarrëse në koalicion, marrin përsipër, që duke ruajtur, të drejtën dhe proçesin e brendshëm të identifikimit të kandidaturave, të garantojnë paraprakisht koalicionin dhe publikun se do të paraqesin kandidatura që plotësojnë standardet me të larta morale dhe ligjore. Veçanërisht do të respektohen kriteret ligjore të përcaktuara nga Ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” (dekriminalizimit) dhe Ligji nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ishsigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” (pastërtia e figurës). Për këtë qëllim do të bashkëpunojnë dhe lehtësojnë institucionet shtetërore të ngarkuara me këtë qëllim të përmbushin detyrimet e tyre, para fushatës zgjedhore.
IV. Koalicioni nuk bashkëpunon me shumicën qeverisëse
- Koalicioni është në opozitë me shumicën qeverisëse. Të gjitha partitë e koalicionit angazhohen që, përpara, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore të mos kenë asnjë formë bashkëpunimi politik me partitë e shumicës aktuale. Veçanërisht, anëtarët e koalicionit angazhohen që pavarësisht rezultatit zgjedhor, individual apo si koalicion, asnjë prej tyre nuk do të mundësojë krijimin e një shumice qeverisëse duke u bashkuar me partitë aktualisht në qeverisje apo subjekte politike që janë në aleancë të heshtur me të.
-
Të gjitha partitë e koalicionit angazhohen që përpara, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore të mos kenë asnjë formë bashkëpunimi me parti apo koalicione, për sa kohë ato kanë kontribuar në miratimin e këtij sistemi zgjedhor nëpërmjet mbylljes së listave, përfaqësuesit politikë të të cilave janë në konflikt me ligjin e për këtë shkak kanë kontribuar në delegjitimimin e organeve shtetërore e vecanërisht të atyre të drejtësisë, dhe që janë në marrdhënie të ngrira me partnerët strategjikë në veçanti dhe faktorin ndërkombëtar në përgjithësi.
V. Kolegjialiteti në organizim dhe drejtim
- Në ndërtimin e koalicionit drejtimi është kolegjial. Asnjë nga partitë pjesmarrëse nuk ka rol kryesor apo dytësor në raport me partitë e tjera. Drejtimi i koalicionit bëhet kolegjialisht nga nje grupim i krijuar me përfaqsues të të gjithë partive pjesmarrëse.
-
Kryeministri do të propozohet nga partia në koalicion që merr numrin më të lartë të votave.
VI. Koalicioni i hapur
Koalicioni është i hapur për çdo parti politike, lëvizje politike, organizatë politike ose individë të angazhuar në politikë, të cilët ndajnë të njëjtat vlera themelore, janë në opozitë me qeverisjen dhe synojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.
VII. Çështje organizative zgjedhore
Koalicioni me kolegjialitet do të vendosë për vëzhguesit, ndarjen e kandidatëve, partinë që merr përsipër drejtimin formal të koalicionit në zgjedhje, mënyrën e përmbushjes së detyrimeve nga partia drejtuese (marreveshja mes partive në koalicion), personin përgjegjës për marrëdhëniet me KQZ-në, menaxhimin e kohës mediatike, si dhe për çdo çështje tjetër teknike sipas legjislacionit zgjedhor.