Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha me anë të një postimi në rrjetin social në facebook ka reagur në lidhje me intervistën e Edi Ramës për Zërin e Amerikës.
Basha shprehet se Rama është amnistuesi i të korruptuarve të dënuar nga GJKKO-ja dhe njeriu që ka përdorur krimin e organizuar për zgjedhjet. Ai nënvizon që Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe një qeveri që lufton seriozisht korrupsionin e kudondodhur.
“Siç thotë populli, peshku qelbet nga koka, dhe koka e korrupsionit që ka mbërthyer Shqipërinë është vetë Edi Rama.
Amnistuesi i të korruptuarve të dënuar nga GJKKO-ja, njeriu që ka përdorur krimin e organizuar për zgjedhjet, dhe i ka dorëzuar pushtetin krimit, ai që ka mbrojtur çdo qeveritar të zhytur në korrupsion dhe të lidhur me krimin, penguesi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është minuesi i Drejtësisë, të cilën ka kërkuar ta kapë dhe ta sabotojë në çdo hap, dhe jo ai, që siç pretendon, po i jep fund pandëshkueshmërisë.
Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe një qeveri që lufton seriozisht korrupsionin e kudondodhur. Këtë nuk e bën dot arkitekti i korrupsionit qeveritar që u tregon shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve “noc rrokun”, dhe e ka bërë vendin të pajetueshëm për familjet shqiptare.
Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha.