Shpallja non grata dhe arratisja e Artan Grubit vijon që të jetë kryefjalë në Maqedoni. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se BDI tani është e kontaminuar nga krimi. Mickoski u shpreh se BDI në vend që të bëjë ndryshime vazhdon të dërgojë mesazhe konfuze.
“Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se vendosja e Grubit në listën e sanksioneve të SHBA-ve, për arsye të lidhura ngushtë me krimin dhe korrupsionin, automatikisht nënkupton se e gjithë struktura e tyre është e kontaminuar nga krimi dhe korrupsioni në sytë e partnerëve tanë strategjikë.
Porosia është konfuze për ta dhe në këtë konfuzion ata fillojnë të bëhen gjithnjë e më radikalë dhe të kërcënojnë, duke menduar se kështu dikush do të frikësohet. Mendoj se e kanë gabim, por është e drejtë e tyre sovrane, ky është shtet demokratik.
Për sa kohë që dikush përdor instrumentet dhe mënyrat demokratike për të bërë politikë, është e pranueshme. Në momentin e parë kur nuk do t’i shfrytëzojë, atëherë do të duhet të reagojë shteti”, ka përfunduar Mickoski.