Këshilltarët demokratë në Këshillin Bashkiak të Shkodrës kërkojnë rikthimin për shqyrtim të buxhetit të vitit 2025 dhe programit buxhetor afatmesëm përfundimtar 2025-2027 të bashkisë.
Në deklaratë ata shprehen se “Qytetarët e Shkodrës kërkojnë dhe meritojnë transparencë nga bashkia që tashmë është bërë publike që drejtohet nga një person nën hetim nga SPAK për vjedhje dhe abuzim me fondet publike”.
Sipas tyre ankesa është depozituar pranë institucioneve përgjegjëse.
“Ne kërkojmë që Prefekti i Qarkut të ndërhyjë dhe ta rikthejë këtë vendim për rishqyrtim, duke garantuar që mbledhja e ardhshme të zhvillohet në përputhje me ligjin, me debat dhe transparencë të plotë.
Gjithashtu kërkojmë që prefekti të mos i bindet në mënyrë të verbër një kryebashkiaku që e ka ndërtuar karrierën politike si aleat i krimit të organizuar dhe përgjegjës direkt për akte të rënda korruptive, siç tregojnë hetimet e reja të SPAK.
Buxheti i qytetarëve të Shkodrës nuk mund të fshihet nga Benet Beci siç fsheh pasurinë e tij.
Partia Demokratike mbetet e vendosur për të mbrojtur interesat e qytetarëve shkodranë dhe për të siguruar që fondet publike të trajtohen me përgjegjësi dhe transparencë.
Nuk do të lejojmë që akte të tilla të padrejta dhe të njëanshme të kalojnë në heshtje”, thuhet në deklaratë.