Konferenca e fundit e vitit. Tashmë e kthyer në traditë. Kryeministri Edi Rama doli sot përpara mediave për të bërë një bilanc për vitin që po mbyllet dhe vitin që po vjen. E nisi me negociatat dhe premtimet.
“Po e nis me faktin sipas meje më domethënës të vitit që po lemë pas, çeljen e negociatave për anëtarësim me BE. Praktikisht të dy grup kapitujve të rëndësishëm duke nisur me “Themeloret” dhe më pas marrëdhëniet me jashtë.
Është me rëndësi të theksoj këtu, që ky proces i jashtëzakonshëm për nga volumi i punës, intensiteti dhe cilësia do të ishte i pamundur nëse një skuadër e madhe kombëtare e Shqipërisë e qindra punonjës të administratës nuk do të kishin bërë më parë punën e shkëlqyer me procesin screening në të gjithë Shqipërinë në të gjitha fushat.
Ecuria e screening, vlerësimet befasuese për mua personalisht të KE, të qeverive që ishin tipikisht përqafuesve të vendeve skeptike për performancën e skuadrës tonë kombëtare janë një motivim, janë një fakt domethënës për çfarë është bërë në gjithë këto vite dhe cila është administrata e republikës së Shqipërisë”, tha Rama.