Zbardhet ngjarja e rëndë në Durrës, ku u vra 82-vjeçari Paulin Gina. Policia njofton se ka arritur që të identifikojë autorin, që është fqinji i viktimës dhe e ka shpallur në kërkim.
Ai është një 39-vjeçar që sipas policisë vrau me thikë dhe me çekiç 82-vjeçarin, fshehu mjetet e krimit dhe mbylli me çelës nga jashtë derën e banesës së viktimës. Gjithashtu, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i mjeteve të krimit dhe veshjeve që ka patur autori kur ka kryer krimin.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, rreth orës 18:50 të datës 30.12.2024, kanë marrë njoftim se në lagjen nr.13, Durrës, ishte gjetur i pajetë në banesë, dyshohej i dëmtuar me mjet prerës, një 82-vjeçar.
Menjëherë kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë, grupi hetimor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, Drejtori i DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë kanë vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.
Nga këqyrja e trupit të 82-vjeçarit P. G., eksperti mjekoligjor konstatoi se kishte dëmtime të shumta të shkaktuara me mjet prerës dhe me sende të forta.
Pas një pune intensive hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit F. J., 39 vjeç, banues në lagjen nr. 13, fqinj i 82-vjeçarit.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale 2 thika, 1 çekiç dhe veshjet që dyshohet se ka patur autori gjatë kryerjes së krimit” njofton policia.
Tronditje në Durrës! Kush e masakroi me thikë 82-vjeçarin në shtëpi?