Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë që partia e tij pret që të tejkalojë rezultatin e vitit 2021 dhe konsideron se pritket për gjysëm milioni vota “janë reale”.
Kurti theksoi se nuk shohin mundësi për koalicione paszgjedhore.
“Ne nuk shohim mundësi që të kemi koalicione paszgjedhore prandaj edhe i kemi bërë ato parazgjedhore, së pari me partinë Guxo dhe gjithashtu me partinë Alternativa, me të cilët kemi bashkëqeverisur në këto katër vjet dhe i kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri. Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë për dy dekada, nganjëherë dy prej tyre, nganjëherë të trija bashkë, PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite unë nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh se, sidomos në muajt e fundit, sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj eksponentëve të subjektit tonë politik, ndaj qeverisjes sonë të mirë e demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, thotë Kurti.