Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka pritur sot në KQZ, ambasadorin britanik në Shqipëri Nicholas Abbott. Gjatë takimit ata kanë diskutuar mbi përgatitjet e KQZ për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025.
Gjithashtu kanë diskutuar për votimet jashtë si dhe për masat e parandalimit të shitblerjes së votës, shmangies së abuzimit të burimeve shtetërore në fushatë dhe rritjen e rolit të institucioneve të tjera në luftën kundër krimeve zgjedhore.
“Me Ambasadorin Abbott u ndalëm edhe tek plotësimi nga ana e KQZ të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe nevojës së implementimit të plotë të rekomandimeve që kërkojnë ndërhyrje legjislative nga Kuvendi. Diskutuam në detaje për risitë e Platformës së Raportimit Financiar dhe promovimin e rolit mbikqyrës të shoqërisë civile mbi financimet zgjedhore.
Me Ambasadorin Abbott dakordësuam rëndësinë unike të procesit të ardhshëm zgjedhor që lidhet me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE. E falenderova Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen e fortë ndaj KQZ dhe vijimin e nismave të përbashkëta për fuqizimin e institucionit”,shkruan Celibashi.