Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot Ambasadorin e Italisë, Fabrizio Bucci, në përfundim të misionit të tij në Shqipëri. Gjatë takimit, Spiropali e falenderoi Ambasadorin Bucci për shërbimin e tij të dalluar dhe përkushtimin ndaj forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e kontributit të tij në zgjerimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe qytetarëve të Shqipërisë dhe Italisë.
“Kemi pasur një partner të shkëlqyer, një diplomat të angazhuar dhe të dashur për Shqipërinë, i cili ka kontribuar shumë në thellimin e marrëdhënieve tona, veçanërisht në nivel parlamentar,” tha Spiropali gjatë takimit.
Kryetarja e Kuvendit i dorëzoi Ambasadorit Bucci një Certifikatë Mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë gjatë periudhës 2020-2025.