Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas mbylljes së një tjetër zyre paralele të Serbisë në veri të Mitrovicës. Sveçla ka theksuar se aktiviteti ilegal i Agjencisë Tatimore të Serbisë do të hetohet nga mekanizmat përkatës të Kosovës, duke përsëritur angazhimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar paralelizmin kriminal që mbështetet nga Serbia.
Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se ky institucion i Serbisë ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarët dhe subjektet që operojnë në Kosovë, duke e cilësuar si një “haraç” që është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar.
“Ky insitucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka shtuar se ky aktivitet ka qenë një përpjekje e grupeve kriminale që mbështesin Serbinë dhe figura si Vladimir Putin, dhe ka premtuar se do të vazhdojnë të luftojnë çdo formë të paralelizmit kriminal, duke dërguar para drejtësisë ata që e mbështesin atë.