Një 20-vjeçar është arrestuar në Shijak, pasi akuzohet për prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Sipas policisë, ai dhe një bashkëpunëtor i tij, një 26-vjeçar, shisnin cannabis sativa në lokale nate dhe zona të ndryshme të qytetit. Gjatë kontrollit në banesën e 20-vjeçarit, u gjetën qindra doza narkotikësh, një pjesë prej të cilave ishte në proces përpunimi. Po ashtu, u sekuestruan një peshore elektronike, një automjet dhe tre celularë. Bashkëpunëtori i tij, i shpallur në kërkim, dyshohet se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për të njëjtin veprim.
Ky operacion policor u finalizua pas një hetimi disa-javor, dhe materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.