Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar ashpër pas njoftimit të SPAK që pezulloi hetimet për laboratorin e kokainës në Xibrakë dhe nuk gjeti prova për implikimin e Olsi Ramës.
Bardhi e cilësoi njoftimin si “qesharak” dhe akuzoi SPAK për mungesë hetimesh serioze, duke e konsideruar këtë veprim si një ndikim nga pushteti. Ai theksoi se presioni dhe intimidimi po dëmton drejtësinë dhe besimin e publikut.
Gazment Bardhi: Sapo u njoha me njoftimin që SPAK ka shpërndarë për media për cështjen Xibraka. Të jem i sinqertë, nuk u besova syve me atë që lexova, “hetimet kanë përfunduar, por nuk kanë përfunduar”. Ky ishte thelbi i atij njoftimi qesharak të prokurorisë që e kam paralajmëruar që ditën e parë kur kam denoncuar me fakte dhe të dhëna konkrekte dyshimin e arsyeshëm për përfshirjen e vëllait të kryeministrit, Olsi Rama çështjen në laboratorin e Xibrakës.
Prokuroria njoftonte se kishte përfunduar hetimet për dosjen 88/2024 në fjalinë e parë, por në fjalinë e pestë, të një njoftimi me pesë fjali thoshte se kanë pezulluar hetimet dhe kanë rigërguar, apo dërguar, që policia e shtetit, dosjen e plotë, që policia e shtetit të bëjë përpjekje atë që fshehu para 10 viteve. E vërteta është krejt ndryshe, prokuroria as ka hetuar dhe as ka kryer asnjë veprim hetimor për të zbuluar të vërtetën. Prokuroria që vë dorën në zjarr që Olsi Rama nuk është i përfshirë në aktivitet kriminal deklaron vetë se e ka të pamundur për të identifikuar se kush janë personat e përfshirë por deri tani të paidentifikuar.
Dhe njoftimi se njëri nuk është, por ne nuk e dimë se kush janë, është fiks logjika që përdori para 10 vitesh policia, duke na thënë se kishte arritur të identifikonte moshën e personit, konkrete 45 vjec, por nuk i gjente dot emrin. I kuptoj prokurorët e SPAK-ut se ndihen të kërcënuar, intimiduar dhe të pafuqishëm përballë pushtetit të Edi Ramës. Por ata nuk kanë asnjë arsye për t’u bërë qesharakë dhe për të na rikthyer të gjithë në memorie të bërit qesharkë në fakt e kanë metodë të punës së tyre. I njëti prokuror Alfred Shehu para 4 vitesh doli me zë dhe figurë se për ngjarjen në Elbasan për zgjedhjet në makinën e autorëve të asaj veprimtarie kriminale nuk u gjetën materiale zgjedhore. Nxitimi i tij për të amnistuar bandën në pushtet hasi në kundërshtimin e vetvetes vetëm tre ditë më pas kur në gjykatë me shkrim dhe zë deklaroi se në makinë u gjetën materiale zgjedhore.
Unë nuk kam asnjë mesazh më shumë vetëm duke ndjerë keqardhje që për shkak të presionit, ndërhyrjes dhe intimidimit prokurorët jo vetëm nuk tregohen profesionalë por tregohen qesharakë. Personalisht e kam pasur të qartë pamundësine e tyre për të bërë të ndëshkueshëm dikë që ka statusin i pandëshkueshëm për shkak të pushtetit të vëllait, por prokuroria kishte shansin për të na treguar se është e pavarur, e paanshme dhe se kryen hetim të plotë. Unë sot do të ndalem vetëm në një fakt, në seancën e datës 4 prill 2024, ministri Taulant Balla deklaronte se ai kishte dijeni se kush ishte personi i moshës 45-vjeç. Me zë dhe figurë. Pyetja ime për prokurorin Shehu është a e ka thirrur Taulant Ballën për ta pyetur, për informacionin që i përcolli Kuvendit se e njihte personin e moshës 45-vjeç dhe se nuk kishte asnjë lidhje me PS dhe Edi Ramën por me PD-në?
Mjafton vetëm ky fakt për të treguar se nuk ka pasur asnjë veprim hetimor konkret për të zbardhur të vërtetën, ka pasur vetëm një tentativë për të bërë shqiptarët për budallenj sikur po hetohet për të dalë sot me atë njoftim qesharak. Duke përsëritur qëndrimin tim se i kuptoj se janë të pafuqishëm, kam vetëm një lutje, na kurseni të bërit qesharakë, SPAK nuk ka nevojë që të degradojë deri në qëndrime apo njoftime të tilla, që në pesë reshta të shkruara, fjalia e parë të kundërshtojë fjalinë e pestë. Apo ajo që thuhet në fjalinë e parë të jetë e ndryshme me atë që thuhet në fjalinë e pestë.
Apo qëndrime të tipit ne nuk e dimë kush është por betohemi përpara Edi Ramës, që Olsi Rama nuk është. Kaq për sonte, sepse sigurisht aq nuk dekurajohemi kësaj cështje do i shkojmë deri në fund. E vërteta, sikur doli në rastin kur prokurori Shehu gënjeu për ngjarjen e Elbasanit do të triumfojë, edhe pse do të marrë pak kohë.