-sidi education-spot_img
16.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Sylë Ukshini: Kosova “Outpost” i BE-së

Kryesoret

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, janë një temë e datueshme dhe shqetësuese, me të cilën do të përballet edhe qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Pavarësisht se këto masa u vendosën nga BE për shkak të veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, qasja e BE-së mund të përshkruhet si e padrejtë dhe me standarde të dyfishta. Në radhë të parë, situata e paqëndrueshme në veri është pasojë e ndërhyrjes së vazhdueshme të Serbisë, e cila ka sfiduar hapur BE-në, SHBA-në, KFOR-in dhe EULEX-in për vendosjen e ligjshmërisë në këtë pjesë të vendit. Edhe pse në këtë pjesë të Kosovës operojnë strukturat paralele, të cilat janë një zgjatje e Serbisë brenda territorit të Kosovës, përgjegjësia për këtë është e drejtpërdrejtë e ndërkombëtarëve, të cilët kanë toleruar Beogradin në përpjekjen e tij për të minuar suksesin e Perëndimit në Kosovë. Përveç masave ndëshkuese, BE-ja ka diskriminuar qytetarët e Kosovës për dekada të tëra, duke mos liberalizuar vizat, ndërkohë që gjysma e qytetarëve të saj jeton në shtetet e BE-së. Së fundmi, ajo ka kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).

Nga ana tjetër, edhe pse Qeveria e Kosovës kishte të drejtë në aksionet e saj në veri, ajo nuk arriti të bindë SHBA-në dhe BE-në për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe dhe për aksionet policore në veri. Kjo situatë, e provokuar nga Beogradi dhe që i ngjante periudhës së viteve ’80, kur në Fushë Kosovë operonte grupi i ekstremistëve serbë, me në krye Miroslav Sholeviqin, kishte tre objektiva kryesore: komunikimin e drejtpërdrejtë të serbëve të Kosovës, që nënkuptonte bindjen e tyre vetëm ndaj Beogradit dhe jo ndaj Prishtinës; viktimizimin e serbëve lokalë, duke i paraqitur ata si të përndjekur dhe të kërcënuar nga autoritetet shtetërore kosovare; dhe përhapjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve, duke instrumentalizuar serbët kundër autoriteteve shtetërore të Kosovës.

Pesë arsye pse masat janë të paqëndrueshme:

Banjska, testimi i BE-së: Sulmi në Banjskë në shtator 2023, vetëm pak muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, është një tregues i qartë se Serbia po teston kufijtë e tolerancës dhe seriozitetin e Perëndimit për të parë deri ku mund të arrijë pa u përballur me pasoja të rënda. Ky incident shënoi herën e parë që nga përfundimi i luftës në qershor 1999 që Beogradi ndërmori një operacion të tillë ushtarak kundër Kosovës në mënyrë kaq të hapur dhe të planifikuar.

Ky akt, që ngjason me taktikat e përdorura nga Rusia në Krime dhe Ukrainën Lindore, është një dëshmi e qartë se Serbia vazhdon të jetë një burim destabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Përfshirja e strukturave të armatosura dhe mbështetja logjistike nga Beogradi për këtë sulm theksojnë rolin destruktiv të Serbisë në rajon dhe sfidojnë përpjekjet ndërkombëtare për të konsoliduar paqen dhe stabilitetin.

Asimetria e qasjes së BE-së: Vendosja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, pavarësisht arritjes së Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit në mars 2023, dhe mbajtja e tyre në fuqi edhe pas agresionit ushtarak në Banjskë, thekson një pozicion asimetrik dhe të padrejtë të Bashkimit Evropian. Kjo qasje është veçanërisht shqetësuese, duke pasur parasysh rolin e BE-së si fasilitues i procesit të dialogut Kosovë–Serbi.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës jo vetëm që dëmtojnë kredibilitetin e BE-së si ndërmjetës neutral, por gjithashtu fuqizojnë pozicionin e Beogradit në tavolinën e bisedimeve. Ky është një shembull i qartë i standardeve të dyfishta, që jo vetëm shfaq një padrejtësi ndaj Kosovës, por gjithashtu legjitimon politikat agresive dhe destruktive të Beogradit. Në vend që të promovojnë integrimin e serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës, këto masa kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon, duke minuar përpjekjet e Kosovës për zhbërjen e strukturave paralele dhe kriminale serbe, të cilat janë një zgjatje e Serbisë brenda Kosovës. Për më keq, këto grupe kriminale financohen me fondet e shtetit të Serbisë të cilat vijnë si ndihmë financiare nga vetë BE-ja.

Hipokrizia e njohjes së pasaportave serbe: Pranimi nga BE-ja i pasaportave ilegale të lëshuara nga Serbia, të cilat përshkruajnë Kosovën si pjesë të territorit serb, përbën një shkelje të rëndë të sovranitetit të Kosovës. Kjo qasje jo vetëm që minon përpjekjet e Kosovës për konsolidimin e shtetësisë së saj, por gjithashtu forcon narrativën serbe për përkohshmërinë e statusit të Kosovës.

Për më tepër, ky veprim i BE-së krijon pritshmëri të gabuara te serbët lokal, duke i lënë ata të besojnë se statusi aktual i Kosovës mund të ndryshohet në të ardhmen. Njëkohësisht, një vendim i tillë e frenon integrimin e serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës dhe njëkohësisht dekurajon të gjitha ata që tashmë janë pjesë e këtij sistemi.

Pranimi i këtyre pasaportave nga BE-ja, sidomos nga vendet që e kanë njohur Kosovën, është po aq i dëmshëm sa pranimi i pasaportave ruse për territoret e pushtuara në Ukrainë. Një veprim i tillë nga BE-ja krijon një precedent të rrezikshëm, minon normat ndërkombëtare dhe dërgon sinjal të gabuar lidhur me respektimin e sovranitetit të një shteti. Një anën tjetër, ky vendim i BE-së për habi ka kaluar pothuajse në heshtje nga të gjitha palët në Kosovë.

Dualizmi i BE-së: Qasja e BE-së ndaj Kosovës, me apo pa qëllim, kontribuon në fuqizimin e politikës serbe për ndërtimin e një dualiteti funksional në Kosovë. Kjo do të thotë që serbët e Kosovës marrin pjesë njëkohësisht në strukturat vendimmarrëse të shtetit të Kosovës dhe vazhdojnë të mbajnë institucionet paralele të Serbisë brenda territorit të saj.

Serbët e Kosovës përdorin targa dhe pasaporta serbe, ndërsa mësuesit e komunitetit serb marrin paga nga Ministria e Arsimit të Kosovës dhe njëkohësisht nga Ministria e Arsimit të Serbisë. Ata bashkëpunojnë me institucionet arsimore të Kosovës, por zbatojnë udhëzimet dhe planprogramet e Beogradit.

Kjo qasje vlen edhe për deputetët serbë (Lista Serbe) në Parlamentin e Kosovës, të cilët marrin paga nga buxheti i Kosovës, por ndjekin një agjendë që përfaqëson interesat hegjemoniste të Serbisë. Ky dualizëm u përforcua edhe me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit 2010, e cila bashkë me marrëveshje për asterisk (shkurt 2012) i hapi shtegun një situate, e cila në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare mund të lexohet edhe si një moratorium i pavarësisë, pasi nga ky moment, Kosova pranoi që në forumet rajonale të prezantohet si entitet pa atribute shtetërore. Edhe pse kjo marrëveshje ishte vetëm për nivelin e takimeve rajonale në Ballkanin Perëndimor, BE-ja njëanshëm një model të tillë e aplikoi me Kosovën edhe në rastin e arritjes së Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim (MSA). Prandaj, sa mund të konsiderohet sukses mënyra se si u gjet formula ligjore sui generis për arritjen e një marrëveshjeje të tillë me Kosovën, po aq mund të konsiderohet edhe pengesë për raportet e ardhshme në procesin e integrimit (statusin i kandidatit dhe anëtarësimin) të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke pasur parasysh se 22 vendet e BE-së duhet të marrin në konsideratë qëndrimet e 5 shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Mungesa e njohjes së Kosovës nga pesë vendet evropiane: Është një paradoks i thellë i qëndrimit të BE-së ndaj Kosovës – në njërën anë për masa ndëshkuese shpërfaq një unitet të jashtëzakonshëm, në anën tjetër, për shtatëmbëdhjetë vite ka dështuar të ndërtojë një qëndrim unik për nevojën e njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, madje edhe pas opinionit juridik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), për të cilin paraprakisht kishin deklaruara se do ta respektonin. Që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së, si Bashkimi Evropian ashtu edhe pesë vendet mosnjohëse duhet të jenë të gatshme të ndryshojnë qëndrimin ndaj Kosovës. BE-ja duhet të ndërtojë një pozicion unik ndaj Kosovës, veçanërisht kur që Kosova ka përafruar njëanshëm Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Një veprim i tillë do të përbënte investimin më të rëndësishëm gjeopolitik të BE-së në rajon.

Në të kundërt, qëndrimi i pesë vendeve evropiane për mosnjohjen e Kosovës dëmton më shumë aspiratat historike dhe orientimin evropian të Kosovës sesa mosnjohja nga Serbia, e cila, nëse ky qëndrim do të ndryshonte, do të humbiste çdo mundësi për të penguar integrimin euroatlantik të Kosovës. Për sa kohë që kjo status quo vazhdon, është e pakuptimtë të pritet një përparim i përbashkët drejt realizimit të vizionit për një rajon tërësisht të evropianizuar.

Mungesa e vullnetit dhe vendosmërisë së BE-së për të përmbushur synimet e saj vërehet qartë në qasjen e Brukselit lidhur me Marrëveshjen dhe Aneksin e Ohri, pranimi i  së cilës ishte thënë se do të çonte në njohjen nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së. Megjithatë, dy vjet më pas, asgjë nuk ka ndryshuar, përveçse janë shtuar kërkesat për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, çështje kjo që po shoqërohet me një presion ndërkombëtar të ngjashëm me atë që u ushtrua për krijimin e Gjykatës Speciale. Një gjë ishte premtuar se do të ndodhte njohja nga pesë vendet e BE-së. Por, 2 vjet më pas, gjërat kanë mbetur në vend, veçse se janë rritur kërkesat Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një çështje që po shoqërohet me presion ndërkombëtar të ngjashëm me atë për krijimin e Gjykatës Speciale, çështje kjo që po shoqërohet me një presion ndërkombëtar të ngjashëm me atë që u ushtrua për krijimin e Gjykatës Speciale. Për koincidencë, në të njëjtën linjë qëndrojnë edhe pesë vendet mosnjohëse evropiane, Rusia dhe Serbia, të cilat e konsiderojnë Asociacionin si prioritet kryesor edhe në fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel.

Një shembull ilustrues i këtij absurditeti në politikën jokohezive evropiane është vendimi i Spanjës për ta njohur Palestinën pak javë pas sulmit të madh terrorist të Hamasit kundër Izraelit. Një vendim i tillë ndodhi jashtë çdo procesi politik, derisa në rastin e Kosovës, Madridi pozicionohet pro “argumenteve” dhe pozicionit të Moskës, Beogradit, Teheranit e kryeqendrave të tjera. Ky qëndrim mosnjohës i pesë vendeve anëtare të BE-së, jo vetëm që minon kredibilitetin e BE-së si një bllok i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, por gjithashtu dëshmon se disa shtete anëtare kanë hequr dorë nga parimet, mbi të cilat u themelua dhe ekziston akoma Bashkimi Evropian. KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit