Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë takimit me qytetarët në Elbasan u shpreh se në qeverisjen e tij do të mbajë premtimet. Berisha theksoi se në 3 muajt e parë do të vendosë minimumin jetik 200 euro dhe karta e konsumatorit do të jetë 430 euro.
“Miqtë e mi, çdo premtim që kam bërë këtu dhe do bëj kudo, iu garantoj se do e mbaj 100 përqind. Se 3 muajt e parë, ndër vendimet më të para do vendoset minimumi jetik 200 euro. Kjo do të thotë që 57 përqind e pensionistëve, të cilët marrin jo pension të plotë, do marrin 200 euro. Kjo do të thotë se çdo pensionist shqiptar me pension të plotë 170 euro e poshtë, do marrë 200 euro. Kjo do të thotë se çdo shqiptar pa pension do marrë 200 euro. Kjo do të thotë se çdo i papunë do marrë 200 euro. Kjo do të thotë se çdo shqiptar me ndihmë ekonomike do marrë 200 euro.
Kjo është rruga për t’i thënë stop mjerimit. Kjo është rruga për t’u dhënë shqiptarëve çdo ditë atë pagë që përjashton mjerimin. Këtë do e bëjmë 3 muajt e parë. A e dini ju? E dini sigurisht, qytetarët tanë blejnë me çmimet më të shtrenjta se në Itali, Gjermani ushqimet. Qytetarët shqiptarë udhëtojnë me çmimet më të shtrenjta, sepse nafta e tyre është më e shtrenjtë se në Singapor. Merr fund kjo.
Ne nuk do hyjmë në çmimet e ushqimeve, por do u japim kartën e konsumatorit të gjithë atyre që janë me rrogë minimale e poshtë. Karta e konsumatorit është rreth 450 euro. Është rreth 3 pensione. Do kompensohet çdo 6 muaj. Do i ndajmë ndryshe ne këto të ardhura. Është krijuar një hendek i lemeritshëm. Shoqëria është ndarë si kurrë në historinë e saj. Pra, pensionisti do marrë edhe 3 pensione shtesë me rikthimin e TVSH-së. Rrogë minimale nën 500 euro nuk do ketë në Shqipëri. Dhe ky është fillimi.”, tha Berisha.