Prokurori i posaçëm Jack Smith ka përfunduar punën e tij mbi dy hetime penale ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe ka dhënë dorëheqjen të premten nga Departamenti i Drejtësisë.
Lajmi për largimin e Smith-it erdhi në një shënim në një dokument gjyqësor që zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë i dorëzuan Gjykatëses Aileen Cannon të Gjykatës së Qarkut të SHBA-së të shtunën pasdite, duke i kërkuar asaj të mos zgjasë një urdhër gjykate që ajo lëshoi javën e kaluar, i cili përkohësisht ndalon publikimin e raportit përfundimtar që Smith ia dorëzoi drejtuesve të departamentit të martën.
Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thonë se urdhri i Cannon-it ka tejkaluar autoritetin e saj dhe se ajo nuk ka fuqi të ndalojë Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland nga publikimi i gjetjeve të Smith-it. Ndalimi i saj për zbulimin e raportit të Smith-it është i vlefshëm deri të hënën.
Garland ka deklaruar se planifikon të publikojë vetëm pjesën e raportit të Smith-it që mbulon hetimin e tij për përpjekjen e Trump për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020. Në dokumentet gjyqësore, Prokurori i Përgjithshëm ka thënë se është dakord me rekomandimin e Smith-it për ta mbajtur pjesën tjetër të raportit — e cila trajton hetimin mbi posedimin nga Trump të një sërë dokumentesh të klasifikuara në Mar-a-Lago pasi la detyrën në 2021 — të fshehtë për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të prokurorëve për të ringjallur një çështje penale kundër dy aleatëve të Trump-it dhe ish-bashkëpandehurve. Në vend të kësaj, Garland synon ta tregojë atë raport vetëm një grupi të vogël anëtarësh të Kongresit.