Bashkia e Shkodrës ka dhënë informacione në lidhje me situatën pas reshjeve të shumta të dëborës. Aksi rrugor Bogë – Theth – Bregu i Lumit është i kalueshëm. Ndërsa aksi rrugor Kir – Shosh është i bllokuar për shkak të shembjeve të dheut dhe reshjeve të borës.
“Pas ndërhyrjes së punonjësve të OSHEE, është rikthyer furnizimi me energji elektrike në Njësitë Administrative Rrethina Gur i Zi, Ana e Malit dhe pjesërisht në Velipojë dhe Shalë. Grupet e OSHEE-së vazhdojnë punën në terren për rikthimin e energjisë në zonat ku ka ende probleme, të shkaktuara nga moti i keq, përfshirë reshjet e borës dhe stuhitë e erës”, njofton Bashkia.
Gjithashtu apelohet që në zonat malore, qarkullimi të kryhet vetëm me goma dimërore dhe zinxhirë për të siguruar sigurinë e lëvizjes.