Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet se Vlora i është rikthyer normalitetit. Vengu thotë që terren ndodhen 11 forca, 2 mjete, 2 motopompa, 3 mjete vetëshkarkuese dhe 1 ekskavator.
“Pas një dite të vështirë për shkak të reshjeve të dendura, lajmi i mirë është se Vlora i është rikthyer normalitetit.
Ministria e Mbrojtjes dhe Bashkia e Vlorës vepruan me shpejtësi për t’i bërë ballë situatës. Jemi mirënjohës ndaj djemve dhe vajzave të Bazës Mbështetëse të Emergjencave Civile dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për koordinimin e shpejtë, duke vënë në funksion të plotë sistemin e shkarkimit të hidrovorit të Vlorës.
Në terren ndodhen 11 forca, 2 mjete, 2 motopompa, 3 mjete vetëshkarkuese dhe 1 ekskavator. Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile, si në nivel lokal ashtu edhe qendror, janë angazhuar për monitorimin dhe menaxhimin e situatës, duke siguruar funksionimin normal dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Gjatë orëve në vazhdim, forcat tona do të monitorojnë me kujdes situatën për të siguruar jetën e qytetarëve dhe për të evituar dëmet materiale në biznese apo banesa”, shkruan Vëngu.