Kryetari i PD-së, Sali Berisha bëri të ditur sot planin për diasporën duke udhëzuar deputetët dhe strukturat që të bëjnë listën e qytetarëve që jetojnë jashtë.
“Për diasporën kemi emëruar Jozefina Topallin por tani kalojmë në një proces decentralizimi. Kjo do të thotë se cdo drejtues, deputet, anëtar i kryesisë, të shfrytëzojë cdo lidhje për takime në emigracion dhe diasporë. Ne nuk e bazojmë në takime pompoze 200 mijë euro, 130 mijë euro sikur bëjnë ata, por ne do të ndjekim procesin me një mori të pafundme takimesh kudo që të jenë ata.
Por ky proces, themelet e tij janë në Shqipëri, kjo kërkon që ne të identifikojmë, kjo kërkon që ne të bëjmë listën e cdo qytetari në diasporë që ka të drejtë vote. Kjo kërkon që ne të shkojmë të takojmë me grupe të vogla, të mëdha, realisht, ka një mënyrë për të bërë pluhur këtë shtet elektoral kriminal dhe leva është emigracioni dhe diaspora. Rama cdo ditë e bazon fushatën në krimin e shtetit elektoral.
Kryetarët kanë marrë urdhër të mbyllin bashkitë dhe të dalin në emigracion, diasporë. U bëj thirrje të gjithë diasporës t’i gjuajnë me vezë dhe domate këta hajdutë që m e vjedhjet e tyre janë shkaku për largimin nga Shqipëria. I përgëzoj ata që braktisin sallat e tyre. Ishin demokratët ata që rrethuan Ramën në metropolin e botës dhe u detyrua të futet në sallë nga dera e kuzhinës. Gjë që nuk i ka ndodhur një kryeministri të një vendi të lirë kurrë. Vetëm diktatorëve.
Të tjerët në Londër i dëshmuan kush është. Emigracioni dhe diaspora kanë shumë mënyrë për të ndëshkuar këta hajdutë. Është e domosdoshme të kalohet në veprime energjike dhe të shpejta. Ju bëj thirrje që të regjistrohuni, është e vërtetë që ka vështirësi. Por një grup i yni po bën auditin e platformës PER dhe do të na informojë ku qëndron problemi, por thirrja ime është mos humbisni durimin, aplikoni për së dyti, së treti, mos u dorëzoni” tha ai.