Në 33-vjetorin e themelimit të Forumit Rinor të Partisë Socialiste (FRESH), u zhvillua Kuvendi Rinor i Tiranës, ku morën pjesë drejtuesit politikë të PS-së, Ogerta Manastirliu dhe Erion Veliaj, si dhe qindra të rinj të Forumit Rinor dhe Akademisë Politike të PS-së.
Gjatë fjalës së saj, ministrja dhe drejtuesja politike e PS-së për Tiranën, Ogerta Manastirliu, vlerësoi energjinë dhe përkushtimin e të rinjve si një bazë të rëndësishme për të ardhmen e Partisë Socialiste dhe Shqipërisë. Ajo shprehu mirënjohje për të rinjtë që kanë kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë dhe nënvizoi rëndësinë e angazhimit të tyre në politikë.
“Ka shumë arsye që të rinjtë votojnë PS, dhe duhet t’i themi, punët e mira na lidhin së bashku.
Unë kam një thirrje sot, jo vetëm për të rinjtë e Tiranës, për të rinjtë e gjithë Shqipërisë, por edhe për të rinjtë e diasporës. Është një moment historik për të rinjtë e diasporës, për të gjithë shqiptarët në diasporë, për të dhënë votën e tyre, për të mbështetur Partinë Socialiste, sepse Partia Socialiste është partia e bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe mendon për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë dhe punojnë.”, iu drejtua të rinjve të Kuvendit Rinor të Tiranës, Ogerta Manastirliu.