Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka shprehur shqetësim lidhur me mbylljen e institucioneve paralele serbe në disa komuna të Kosovës.
Sipas një zëdhënësi të ambasadës, këto veprime ndikojnë negativisht te qytetarët serbë dhe mund të dëmtojnë aspiratat e Kosovës për integrimin euro-atlantik.
“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, tha ai.
Po ashtu, zëdhënësi theksoi se këto veprime janë në kundërshtim me këshillat amerikane. “Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë mundësinë tonë për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë”, shtoi ai.
Ambasada e SHBA-së vazhdon të monitorojë situatën dhe do të ofrojë reagime të tjera përmes kanaleve zyrtare.