Në fund të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama firmosi për t’i dhënë Sazanin dhëndrit të Donald Trump për të investuar. “New York Times” i ka bërë jehonë vendimit të qeverisë shqiptare për dhënien e statusit të investitorit strategjik për Jared Kushner. Sipas NYT investimi kap një vlerë prej 1.4 miliardësh dollarë.
“Miratimi nga Komiteti i Investimeve Strategjike të Shqipërisë – i cili drejtohet nga Kryeministri Edi Rama – i jep mundësinë zoti Kushner dhe partnerëve të tij të biznesit të vazhdojnë negociatat e përshpejtuara për ndërtimin e resortit luksoz në ishullin e Sazanit”, shkruan NYT.
“Kushner dhe qeveria shqiptare nuk kanë pranuar të japin komente për mediat”- vijon më tej shkrimi. Por kanë theksuar se projekti nuk po ndikohet nga lidhjet e Kushner me Trump ose nga përpjekjet për të kërkuar favore nga qeveria amerikane.
“Fakti që një sipërmarrës i njohur amerikan tregon interes për të investuar në Shqipëri na bën shumë krenarë dhe të lumtur,” tha një zëdhënës i z. Rama vitin e kaluar në një deklaratë për “The New York Times”, vijon artikulli.
Affiniteti i Kushner, një kompani private investimesh me rreth 4.6 miliardë dollarë, e mbështetur kryesisht nga Arabia Saudite dhe fonde të tjera sovrane të Lindjes së Mesme, po ndjek projektin në Shqipëri së bashku me Asher Abehsera, një ekzekutiv në fushën e pasurive të patundshme me të cilin Kushner ka bashkëpunuar më parë për projekte në Brooklyn.
Qeveria shqiptare tani do të bashkëpunojë me partnerët e saj amerikanë për të pastruar ishullin nga çdo municion i mundshëm i groposur aty gjatë kohë që shërbente si bazë ushtarake. Kompania e Kushner ka thënë se plani është të ndërtojë një “eco-resort” me pesë yje në ishull, duke shndërruar një bazë ushtarake të mëparshme në një destinacion ndërkombëtar të gjallë për turizmin.