Kryeministri Edi Rama ka folur sërish sot për votën e diasporës në një postim si reagim për miqtë e tij virtualë në rrjetet sociale, por “shigjetat” shkonin edhe drejt selisë blu. Rama shprehet se emigrantët e dinë mirë dhe janë të kthjellët në atë çfarë duhet të bëjnë. Kryeministri ka renditur tre arsye themelore që sipas tij emigrantët janë të kthjellët për hapin që duhet të marrin.
“Në fakt unë mendoj se emigrantët e dinë mirë, madje shumica dërmuese e tyre janë më të kthjellët se sa ne të paktën për tre gjëra themelore. E para ata janë më të kthjellët në vlerësimin e shkallës së përparimit të Shqipërisë sepse nga një anë nuk i kanë ato gërmëret e përditshme të jetës së këtueshme që shpesh na lodhin të gjithëve dhe nga ana tjetër kanë mundësinë të vlerësojnë shumë më kollaj dallimin e asaj që shohin kur vijnë dhe asaj që kanë parë kur kanë qenë herën e kaluar.
E dyta emigrantët nuk kanë iluzione për jetën atje ku janë dhe shpeshherë nuk i kuptojnë madje ankesat tona për faktet që kafet dhe restorantet janë plot dhe ata që rrinë më shumë ulur ankohen më shumë që jo s’ka bukë, s’ka ujë, jo s’ka rrugë, jo s’ka punë. Emigrantët punojnë fort, shpeshherë bëjnë nga dy punë. Atje s’ka kushëri, krushqi, parti e punë në shtet o rashë e vdiqa. Ata lodhen shumë fare për të përballuar kostot që janë rritur eksponencialisht në Europë në krahasim me pagat që marrin.
E treta emigrantët dinë ta vlerësojnë më shumë se sa ne rëndësinë e imazhit dhe të reputacionit të Shqipërisë jashtë kufijve, që deri dje u kthehej kokës atyre vetë se i shikonin si të ardhur nga një vend shejtanësh, ndërsa sot ato po e thonë çdo ditë e me gojën më plotë që janë nga Shqipëria sepse Shqipërisë i kemi dhënë një dinjitet që se ka pasur kurrë në botën e jashtme ddhe do ta ngjisim në majën e 2030 si të barabartë mes të barabartëve jo vetëm në marrëdhënie sepse këtë e kemi arritur që sot, por edhe në tryezën e familjes së bashkuar Europiane. Kështu që Xhevahir thotë një fjalë të urtë mos i qaj hallin kalorësit se i varen këmbët sepse emigrantët e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe do të shikosh që do ta bëjnë” tha ai.