Flamuri shqiptar, gjuha shqipe, shkronjat shqipe. Nacionalistët maqedonas më me dëshirë do t’i zhduknin të gjitha këto atribute kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Vitin që shkoi një polic maqedonas hoqi flamurin shqiptar të vendosur në një shtyllë në Kumanovë. Zëvendësministri i brendshëm (i etnisë shqiptare) tha se do të ketë hetim, ministri (maqedonas) tha: jo, s’do të ketë hetim. Komedi ballkanike!
Në kolumnen e shkuar përmenda se si disa nga përmendoret e vendosura në qendër të Shkupit nuk kishin emra, andaj ishte e pamundur të dije se cilit personalitet i përkasin. “Aty është edhe babai im Myrteza Peza. Tri herë ia kemi vënë emrin, tri herë ia kanë vjedhur pllakën” – kështu më shkroi i biri i tij, Mustafa Peza, i cili është gazetar në Shkup. Si është e mundur kjo? Pse t’i vidhen shkronjat e emrit një personaliteti shqiptar?
Udhëtimet janë përherë të dobishme. Përmendorja pa emër e Myrteza Pezës në Shkup më nxiti të thellohem pak në biografinë e tij. Ajo është mjaft interesante. Në Maqedoninë e Veriut me siguri e njohin më shumë njerëz Myrteza Pezën, por në Kosovë? Nga gjeneratat e moshuara po, por të tjerët, gjeneratat e pasluftës? Dyshoj.
Myrteza Peza u lind më 1919 në Elbasan. Në viset shqiptare në Maqedoni arriti më 1941, në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Duhet të ketë qenë ndër shqiptarët e paktë të asaj kohe që jo vetëm dinte shkrim-lexim, por ishte i arsimuar në të famshmen Normale e Elbasanit. Në një dokumentar të Televizionit Shqiptar (RTSH) i biri i tij Mustafa Peza tregon se pasi kreu shkollën në Elbasan, Myrteza Peza vajti në Firence të Italisë për të studiuar muzikën dhe artin. Meqë s’pranoi të bëhej pjesë e lëvizjes fashiste të diktatorit italian Benito Mussolini, e dëbuan. Erdhi në Kërçovë më 1941, ku dha mësim, pastaj vazhdoi në fshatrat e Gostivarit. Duke qenë kundërshtar i fashizmit, Myrteza Peza iu bashkua Aradhes së Shtatë Shqiptare e cila arriti deri në Zagreb në ndjekje të trupave nazi-fashiste.
Kur u kthye në Maqedoni, më 1946, ai me siguri do të mund të vazhdonte karrierën si burokrat i pushtetit të ri. Vendosi të bëjë një udhëtim tjetër. Një udhëtim në shërbim të gjuhës shqipe. Dha kontribut të çmuar në emisionet në gjuhën shqipe të Radio Shkupit, ishte kryeredaktor i gazetës “Flaka e Vllaznimit”, themeloi revistën letrare dhe shkencore “Jehona”, shkroi dramën e parë në gjuhën shqipe ndër shqiptarët e Jugosllavisë së atëhershme me titullin “Nuk martohem me pare”. Kjo dramë prek problemin e madh të martesave që atëbotë lidheshin me vullnetin e pleqve e kryefamiljarëve, pa marrë parasysh dëshirat apo interesin e djalit apo vajzës (e sidomos vajzës). Premiera e dramës u dha në Prishtinë, në Teatrin Popullor Krahinor, ndërsa teatri i kombësive në Shkup i filloi shfaqjet në shqip me një dramë të Nikollai Gogolit.
Bashkë me Abdurrahman Shalën ai ishte skenarist i filmit “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, i realizuar në vitin 1968 nga Kosovafilmi. Në Festivalin e Filmit në Pulë të Kroacisë filmi u shpërblye me “Drerin e Artë” (çmimi i publikut). Jo larg Pulës, në qytetin e bukur të Opatisë, Myrteza Peza do të ndërrojë jetë në fillim të dhjetorit të vitit 1981. Ishte vetëm 62-vjeçar. Në bregdetin kroat kishte shkuar për të gjetur qetësi dhe për të marrë veten pas tri sulmeve në zemër.
I shtrirë në Gjirin e Kvarnerit, qyteti i Opatisë quhet ndryshe edhe “Vjena me det”, i bukur si kryeqyteti austriak, por me dalje në det, në Adriatikun pafund të kaltër. Në kohën e Perandorisë Austrohungareze Opatija ishte qendër e elitës, e cila e pëlqente për shkak të klimës së butë. Vilat historike, promenada dymbëdhjetë kilometra e gjatë buzë Adriatikut, Lungomare dhe monumenti bregdetar “Vajza me pulëbardhën“ janë ndër simbolet e Opatijes. Lisat e dëllinjës hedhin hijet e tyre mbi muret e shtëpive ngjyrë ari të verdhë. Në parkun e qytetit, muralet kujtojnë mysafirë të famshëm si kompozitori Gustav Mahler, shkrimtari James Joyce, gjeniu universal Albert Einstein dhe ylli i Hollywoodit, Kirk Douglas.
Këtu ndërroi jetë Myrteza Peza, duke lënë pas një trashëgimi të pasur. Kur ndonjë shqiptar të shkojë në Shkup dhe të shoh urën me përmendore të personaliteteve të kulturës së Maqedonisë së Veriut, ndoshta nuk e ka vështirë të dallojë Myrteza Pezën. Ndonëse nën përmendoren e tij nuk ka emër, sepse shkronjat e emrit të tij janë hequr nga duar të ndyra, Myrteza Peza është aty: me syze markante dhe me llullë, të cilën e mban në dorë mbi gjoks./ KOHA