SPAK ka zbardhur skemën e trafikut të kokainës nga një grup kriminal që përbehej nga shqiptarë dhe italiane. Vëllezërit Shkëlqim dhe Gerardo Pashja, nga Elbasani janë drejtuesit e kësaj organizate kriminale shqiptare që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Sot në Shqipëri janë arrestuar me qëllim ekstradimin shqiptarët Shkëlqim Pashja, Igli Dervishi, Ervin Dema, Edmond Zhuja, Genti Berisha. Ndërsa arrestimi i M.M. nuk është bërë i mundur, pasi është në kërkim.
Hetimet nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u regjistrua shpërndarja e lëndës narkotike e llojit kokainë, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali dhe ato u kryen nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut.
Në hetim ishin rreth 40 shtetas italianë dhe shqiptarë. Në nëntor të vitit 2021 sipas SPAK është kryer arrestimi i një prej personave nën hetim, i cili do t’i dërgonte një sasi prej 350 kg kokainë organizatës, e cila e kryente aktivitetin në zonën e Brescia-s.
Anëtarët e organizatës kriminale kanë përdorur telefona të “kriptuar” nga analiza e të cilëve ka rezultuar edhe përfshirja e tyre në brendësi të kësaj organizate kriminale shqiptare e dedikuar në trafikun ndërkombëtar të qindra kilogramëve të lëndës narkotike, kryesisht kokainë.
Hetimet kanë konfirmuar faktin se drejtuesit e kësaj organizate, për të realizuar marrëveshjet me furnizuesit kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, ku ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë.