-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Sfidat gjeopolitike të presidencës Trump II

Kryesoret

Pas ceremonisë madhështore të inaugurimit më 20 janar 2025, Presidenti Donald Trump filloi presidencën e dytë mes sfidash dhe problemesh madhore të brendshme e sidomos gjeopolitike të trashëguara dhe të krijuara rishtazi. Sfida të cilat as që mund të krahasohen me 8 vite më parë sa u takon tematikave, intensitetit dhe konfrontimeve politike, ekonomike dhe ushtarake kudo në botë. Ndërkohë që edhe pozicioni i SHBA-ve si superfuqi është zbehur kohët e fundit kryesisht falë dinamikave, blloqeve dhe problematikave të shumta të nxehta dhe të njëkohshme që kanë dalë në sipërfaqe; veç faktit se tani SHBA-të nuk mund t’i trajtojnë dhe ca më pak t’i zgjidhin ato si më parë nga pozita e njëanshme e forcës; kjo mbasi reaksionet zinxhir që do të krijoheshin në këto raste do t’ua ndërlikonin më shumë punën SHBA-ve. Por le të jemi konkretë e t’i përmendim me sa e lejon vendi këto sfida mamuthiane gjeopolitike për SHBA-të.

Imigrimi i paligjshëm nga Meksika mbetet sfidë herkuliane për Presidentin Trump. Në fushatën presidenciale 2024, ai ka premtuar se do të organizojë operacionin më të madh të dëbimit të mbi 11 milionë emigrantëve të paligjshëm. Kjo pritet të jetë një dosje e nxehtë mes tij dhe qeverive të shteteve dhe me Meksikën, sidomos aty ku në pushtet janë demokratët, të cilët kanë filluar të marrin masa parandaluese. Por se si dhe kur do të realizohet ky operacion dhe a ka alternativa më të tjera më të mira, kjo mbetet për t’u parë.

Padyshim që marrëdhëniet me aleatët perëndimorë janë përparësia dhe sfida e parë madhore e administratës “Trump”. Gjatë presidencës së parë këto marrëdhënie mbeten të tendosura, me gjithë përpjekjet e palëve. Në vijim të kërkesës së tij të kahershme, por të vlerësuar e drejtë dhe nga vetë NATO që vendet e saj anëtare të respektojnë kuotën prej 2 për qind të GDP-së së tyre për shpenzimet e NATO-s, Trump shkoi më larg duke kërkuar rritjen e saj në 5 për qind. Kuotë kjo tejet e tepruar që ka filluar t’i ndajë qysh tani aleatët. Me riardhjen në Shtëpinë e Bardhë, këto sfida janë sërish në qendër të vëmendjes politike dhe mediatike. Ndonëse këtë radhë Presidenti Trump është treguar më diplomatik dhe më bashkëpunues, nisur nga gjendja në terren dhe sfidat e përbashkëta madhore Euro-Atlantike.

Kështu, menjëherë pas fitores, Trump priti Sekretarin e Përgjithshëm të NATOs, Mark Rutte; po ashtu, ai ishte i pranishëm në Paris më 7 dhjetor në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së famshme të Notre Damit në Paris, ku u prit me nderimet më të larta protokollare franceze, madje ai zhvilloi në Pallatin Elize një takim trepalësh me Presidentin Macron dhe atë të Ukrainës, Zelenski. Më 5 Janar ai priti në Mar – a – Laga Kryeministren Meloni me vlerësime tejet të larta si “gruaja që robëroi Europën”. Por, besohet shumë se Presidenti Trump e kupton se këto sfida madhore kërkojnë jo dobësimin, por forcimin e Aleancës Euro-Atlantike dhe udhëheqësisë amerikane.

Dhe kjo nuk bëhet me improvizime gjeopolitike dhe me veprime të çastit, që Trump dihet se i ka shumë për zemër, kjo mbasi në rrethanat e reja gjeopolitike paparashikueshmëria mund t’i sjellë edhe atij vetë “pak qar, por shumë zarar”. Ca më tepër se tani SHBAtë nuk kanë përballë vetëm Rusinë, por dhe Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin, veç disa vendeve anëtare të Bllokut “BRICS”. Një çështje tjetër me rëndësi me partnerët europianë lidhet me qëndrimet e ardhshme zyrtare të administratës amerikane ndaj forcave dhe lëvizjeve të ekstremit të djathtë, të cilat po përshkallëzohen në Europë. Kjo temë u bë edhe më e mprehtë mbas intervistës që multimiliarderi Elon Musk dha më 28 dhjetor 2024 në të përditshmen gjermane “Die Welt am Sonntag” dhe në komunikimin e tij 75-minutësh në platformën “X” më 9 janar me lideren e AfDsë, Alica Weidel; ai është shprehur me theks të veçantë se “Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) është shpresa dhe alternativa e vetme për Gjermaninë”.

Kjo dhe denoncimi që ai u ka bërë partive socialdemokrate dhe në Britani e gjetkë ka krijuar pështjellime dhe kundërshtime masive publike nga udhëheqësia më e lartë shtetërore dhe qeveritare gjermane, britanike, franceze, spanjolle etj.. Nga ana tjetër, deklarimet e Trump për aneksimin e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë, duke mos përjashtuar dhe përdorimin e forcës kanë krijuar dyshime dhe shqetësime të mëdha te aleatët europianë, sepse me qëndrime të tilla, sipas tyre, do të “hapet kutia e Pandorës” neo-imperialiste. Sepse nëse ndryshojnë territore me forcë SHBA-të, “atëherë, përse të mos e bëjmë dhe ne” do të thonë Rusia, Kina dhe të tjerë deri te ndryshimi i kufijve në Ballkan. Më tej, Trump gjen një situatë akoma më shpërthyese në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, sidomos mbas atentatit terrorist të 7 tetorit 2023, ose “11 Shtatori arab” me shumë sfida dhe problematika, sidomos lidhur me arritjen e një armëpushimi dhe paqeje të qëndrueshme sipas “zgjidhjes me dy shtete”.

Në këtë kuptim, dakordësimi për Marrëveshjen e Armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit më 19 janar është lajm dhe ngjarje tejet motivuese për administratën e re amerikane. Por po aq e madhe është dhe sfida për zbatimin e saj drejt një paqeje të qëndrueshme. Kjo kërkon domosdoshmërish përfshirjen e popullit dhe autoritetit palestinez. Nga ana tjetër, shembja e regjimit të Assadit në Siri është një lehtësi gjeopolitike dhe ngjarje shpresëdhënëse për SHBA-të dhe Perëndimin në përgjithësi, por me shumë pyetje, të cilat kërkojnë përgjigje. Gjendja me Kinën tani është akoma më e tensionuar se më parë, me kërcënime kineze ndaj Tajvanit (në fund të dhjetorit Kina kreu stërvitjen më të madhe pranë Tajvanit, me pjesëmarrjen e 100.000 trupave ushtarake dhe armatimeve nga më modernet), me paqartësi lidhur me qëndrimet amerikane ndaj Ishullit, me provokime në Detin e Kinës Jugore, me konkurrencën e pandershme tregtare, sidomos me makinat elektrike etj.. Dhe kryesorja, aleanca e ngushtë e Kinës me Rusinë, me gjithë thirrjet e shpeshta amerikane dhe perëndimore për të mos e mbështetur Moskën me armatime. Ftesa e Trump për Presidentin kinez Xi Jinping, për të qenë i pranishëm më 20 janar në ceremoninë e inaugurimit të tij ishte “një degë ulliri”, mesazh simbolik afrimi dhe paqeje mes dy vendeve.

Por, gjithçka tjetër mbetet për t’u parë më vonë. Qysh në vitin e tij të parë si President më 2017, Donald Trump i kushtoi vëmendje të veçantë konfliktit me Korenë e Veriut, duke u përpjekur përmes sanksioneve të shtuara të pengonte zhvillimin e programit të saj bërthamor. Më 12 qershor 2018, ai u takua me Kim Youn Un në Singapor gjatë një Samiti ku Kim pohoi qëllimin e tij “për të punuar drejt çarmatimit të plotë bërthamor të Gadishullit Korean”. Për këtë qëllim, ai zhvilloi bisedime dhe më 30 qershor 2019 me Kim Jongun dhe Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in në Zonën e Çmilitarizuar Koreane. Por, mbas tetorit 2019, kur ata u takuan shkurt në Stokholm, Pheniani nuk ka dhënë asnjë shenjë se është i gatshëm të bëjë në mënyrë të njëanshme çarmatimin e tij bërthamor, përkundrazi ai e ka përshkallëzuar veprimtarinë në këtë fushë. Nisur nga sa sipër, tani gjendja e marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Phenianit është acaruar dhe rënduar edhe më shumë, veçanërisht mbas përkrahjes që Koreja e Veriut po i jep Rusisë në agresionin e saj kundër Ukrainës.

Kohët e fundit, veç armatimeve, ajo ka dërguar dhe 10.000 trupa ushtarake në ndihmë të Rusisë. Bashkëpunimi i Phenianit me Moskën dhe Pekinin përbën pengesë dhe sfidë tjetër serioze për SHBA-të dhe Perëndimin në përgjithësi lidhur me fitoren e Ukrainës mbi Rusinë, ndërprerjen e luftimeve dhe një paqe të qëndrueshme. Ndërkohë, SHBA-të do ta kenë edhe me të vështirë procesin negociues nga pozita e forcës imponuese mbi Phenianin, sidomos lidhur me çarmatimin bërthamor. Ca më tepër kur në Kongresin e Partisë Komuniste më 23–27 dhjetor 2024, Kim Jong deklaroi se, “Koreja e Veriut do të mbajë qëndrim shumë më të ashpër ndaj SHBA-ve”, sipas tij “vendi më antikomunist dhe reaksionar në botë”. Padyshim krahas Kinës, Rusia është sfida më e madhe me të cilën përballet presidenca e tanishme Trump. Më konkretisht, ndërprerja e luftimeve, një armëpushim dhe paqe e qëndrueshme, me garanci se Rusia nuk do të shkelë më të drejtën ndërkombëtare janë sfidat më urgjente dhe më serioze të Presidencës Trump dhe aleancës perëndimore.

Aq më tepër, se gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale 2024 dhe mbas fitores, në disa deklarata të tij, Trump është zotuar t’i japë fund shumë shpejt luftës në Ukrainë, bazuar sidomos në “diplomacinë e fuqisë”, por deri tani pa ndonjë tregues konkret mbi mjetet, mënyrat dhe kushtet përkatëse. Problemi është nëse bëhet fjalë për një paqe të vërtetë për Ukrainën, apo për një pushtim të ri të saj, nëse Rusia nuk tërhiqet nga rajonet e pushtuara dhe nuk jep garanci për mospërsëritjen e agresioneve si ai i 24 shkurtit 2022. Stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor ishin ndër preokupimet kryesore të Presidencës së parë Trump. Ai kishte caktuar një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ambasadorin Richard Grenell si të Dërguar të Posaçëm. Më 3 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, me nismën e Presidentit Trump, Presidenti serb Vuçiç dhe ish-Kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti nënshkruan marrëveshjen me afat njëvjeçar për normalizimin ekonomik të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Presidenti Trump i ka kushtuar rëndësi dhe theks të veçantë aspektit ekonomik, i cili sipas tij, do të ndihmonte në çtensionimin e situatave ndërmjet dy vendeve. Tashmë, me gjithë disa arritje në Ballkanin Perëndimor, sidomos prania e 6 vendeve në Procesin e Berlinit, projektet për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, Plani i BE-së për Rritjen Ekonomike, çelja e dy grup-kapitujve të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, përparimet në Malin e Zi, sërish Ballkani Perëndimor mbetet problematik për Administratën Trump dhe për BE-në.

Sfida më e vështirë dhe më urgjente mbetet nxitja dhe përparimi i thelbësor i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, duke përfshirë formën dhe formatin, përqasjen, ndërmjetësuesit, synimet, etapat dhe këndvështrimet; gjithsesi aspekti më i vështirë dhe kyçi i zgjidhjes së problematikave të tij mbetet njohja “de fakto” e Kosovës nga Serbia, mbas saj krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pastaj të gjithë çështjet e tjera të Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Aspekti tjetër brengosës dhe burim i rrezikshëm konflikti, që kërkon vëmendje dhe ndërhyrje vendimtare nga BE-ja dhe SHBA-të, është shqetësimi mbi ndarjen e mundshme të Republikës Serbe të Bosnjës nga Bosnja, në kuadrin e krijimit të botës serbe, e shpallur nga lideri i serbëve të Bosnjës, Dodik. Me gjithë arritjet e përmendura dhe më lart, edhe vendet e tjera të rajonit, përfshi Shqipërinë kanë nevojë për kujdesin dhe mbështetjen amerikane, sidomos në luftën kundër krimit, korrupsionit, zgjedhje të lira dhe të ndershme etj.. Sfida tjetër madhore për gjithë rajonin janë rreziqet dhe kërcënimet e shumta hibride ruse dhe kineze. Ndaj ndihma dhe mbështetja e SHBAve dhe BE-së do të jenë jetike për fatet e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor. Ja pse të gjithë aktorët dhe faktorët politikë në Ballkanin Perëndimor i kanë kthyer sytë me vëmendjen më të nga Uashingtoni dhe Presidenti Trump.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit