Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka folur për takimin që ka pasur të martën me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Në një postim në rrjetin social “X”, Lajçak ka shkruar se në takim me Vuçiçin kanë diskutuar për procesin e dialogut Prishtinë-Beograd.
“Theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit”, ka pohuar ai, duke shtuar se progresi i mëtutjeshëm është në interes të Serbisë dhe Kosovës dhe të ardhmes së tyre në Bashkimin Evropian.
Ditë më parë në Bruksel ka dështuar të mbahet takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit.
Dështimi i këtij takimi erdhi pasi që delegacioni i Serbisë refuzoi të marrë pjesë, në shenjë proteste pas aksionit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë.