Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike grigels Muçollari në një deklaratë për mediat u shpreh se ka raportime të reja ku tregojnë se qeveria njihet si trafik ilegal ndërkombëtar i mbetjeve të rrezikshme. Muçollari u shpreh se një trafik i tillë nuk mund të bëhet pa bekimin e kryeministrit.
Ai thekson se përgjegjësit kryesorë të mbetjeve toksike janë Mirela Kumbaro dhe Pirro Vengu. Muçollari tha se votat e 11 majit kanë rëndësi jetike për mjedisin për të ofruar siguri dhe garanti për shëndetin e njerëzve.
“Një trafik i tillë, një krim i tillë nuk mund të bëhet pa bekimin e Kryeministrit.
Megjithatë, dy janë përgjegjësit direkt në këtë aferë.
Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, dhe Drejtori i Portit të Durrësit në këto vite, sot Ministër i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Mirela Kumbaro ka lejuar, me firmat e licensat e saj, dhe me mosveprimin që ky krim të ndodhë.
Pirro Vengu ka vënë në dispozicion infrastrukturën e Portit më të madh të vendit, që ky krim të ndodhë.
Ne e dimë që të dy këta kanë mbrojtjen e Edi Ramës dhe prokuroria e Durrësit që ka nisur hetimin nuk ka asnjë shans të mbërrijë tek ta.
Ky krim i rëndë, që parashikon penalitete të forta për Shqipërinë nga Konventa e Bazelit, shkon edhe një shkallë më lart kur dy zyrtarët që kanë lejuar aferën të ndodhë, dhe dyshimi është se kanë përfituar prej saj, do të mbeten pa u hetuar, pa shkuar para ligjit.
Edi Rama qeverisi 12 vite me trafiqe. Me trafik droge ku ngriti të parin narkoshtet në Europë, dhe tani është zbuluar dhe trafiku illegal ndërkombëtar i mbetjeve të rrezikshme.
Vota e 11 majit ka rëndësi jetike për ta shpëtuar mjedisin, për të ofruar siguri e garanci për shëndetin e qytetarëve, për të ndalur një herë e mirë krime të tilla të shëmtuara e me pasoja të rënda për jetën e shëndetin e shqiptarëve.”, tha Muçollari.