Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla u ka bërë thirrje emigrantëve të regjistrohen menjëherë pasi mbeten edhe 40 ditë deri më 4 mars, kur përfundon afati i regjistrimit online. Balla u rikujtoi atyre listën e duhur me dokumente të vlefshme, por tërhoqi vëmendjen mbi gabimet më të shpeshta dhe që mund të shmangen, që nga ngarkimi i dokumenteve që nuk përmbajnë adresën e banimit e deri te “screenshot” të adresës në Google Maps apo faturave me adresën tuaj, që të gjitha të pavlefshme dhe arsyeja përse u është refuzuar aplikimi:
- Gabimi i shpeshtë dhe më i lehti për t’u tejkaluar. Keni ngarkuar si dokument verifikues të adresës Kartën e Identitetit italiane vetëm anën e përparme të ID italiane, e cila nuk përmban adresën. KUJTESË! Adresa gjendet e shënuar në pjesën e pasme të ID.
-
Një gabim tjetër është kur keni ngarkuar patentën e vendit ku jeni, për shembull Itali, e cila nuk e përmban si element adresën e personit.
-
Keni ngarkuar Leje Qëndrimi “residence permit”, e cila nuk përmban adresën.
-
Keni ngarkuar Leje Qëndrimi “Permanent resident card”, e cila nuk përmban adresën.
-
Keni ngarkuar pasaporta të shteteve të ndryshme, të cilat nuk kanë të dhëna për adresën.
-
Keni ngarkuar si dokument provues screenshot i adresës nga Google Maps.
-
Keni ngarkuar faturë blerje e një produkti, i cili përmban emër dhe të dhënat e adresës.
-
Keni ngarkuar si provë adrese dokumente shqiptare (pasaportë, letërnjoftim, certifikatë familjare, patentë të lëshuar nga Shteti Shqiptar).
-
Janë ngarkuar zarfe poste ku gjendet adresa juaj, por nuk vlejnë si një dokument i vlefshëm.
Prandaj ju lutem përdorni vetëm dokumente që vlejnë.
Regjistrimi bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë https://diaspora.kqz.gov.al, në të cilën mund të hyhet edhe nga aplikacioni KQZ:
KQZ ka përcaktuar se dokumentacioni i nevojshëm i deklarimit të adresës duhet të përmbajë emrin e zgjedhësit të njëjtë me emrin në dokumentin e ID për regjistrim në PER (një prej tyre):
dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës;
dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj, i lëshuar nga autoritetet përkatëse;
kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;
dokument/e bankare (kontratë kredie, vërtetim bankar etj), që përmban adresën e banimit;
kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë;
kontratë furnizimi ose faturë të energjisë (gaz ose elektrike) në banesë;
kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive;
kontratë ose faturë të ofrimit të shërbimit të internetit/telefonisë fikse në banesë;
leje drejtimi automjeti (patentë), në rastet kur shënohet adresa e banimit;
dokument të lëshuar nga kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni, apo tjetër të ngjashëm;
çdo dokument tjetër, i lëshuar në shtetin e huaj, që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e vetëdeklaruar jashtë vendit.
Për regjistrimin ju nevojitet një pajisje elektronike (telefon inteligjent, laptop, PC i pajisur me kamera ballore) për verifikimin nëpërmjet fotografimit të fytyrës për regjistrimin në PER dhe skanimi (fotografimi) i dokumentit të identifikimit dhe të dokumentit tjetër të deklarimit të adresës.