Përhapja e shpejtë e gripit sezonal dhe rritja e rasteve të dyshimta kanë bërë që të tejkalohet pragu epidemik, ka paralajmëruar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Sipas IKSHPK, pragu epidemik kalon kur regjistrohen 5.000 ose më shumë raste të gripit, dhe nga 6 deri më 12 janar, janë raportuar 7.826 raste të dyshimta me simptoma të gripit. Ky numër i lartë ka ngritur shqetësime për përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Po ashtu, është regjistruar një rast vdekjeje nga gripi në Klinikën Infektive, një 79-vjeçar, i cili ishte me sëmundje kronike.
Instituti ka theksuar se gripi sezonal ndikon kryesisht në të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, një fenomen që vërehet edhe në shtetet evropiane. Gripi sezonal çdo vit prek rreth 1 miliard njerëz në botë dhe mund të shkaktojë 290,000 deri 650,000 vdekje.
IKSHPK i bën thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe të respektojnë masat parandaluese për të reduktuar përhapjen e gripit.