Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka konfirmuar se asnjë nga vendimet e deritanishme të presidentit Donald Trump, nuk do ta afektojnë negativisht Kosovën “tani për tani”.
Sipas Bekim Kupinës, këshilltarit për media të presidentes Vjosa Osmani, Kasanof e ka konfirmuar këtë në takimin e së martës me shefen e stafit të presidentes, Learta Hollaj në Uashington.
“Shefja e stafit të Presidentes Osmani, Learta Hollaj është takuar dje në Uashington D.C. me Alexander Kasanof, zëvendësndihmës sekretar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor nga i cili ka marrë konfirmimin se asnjë nga vendimet e deritashme të Presidentit Trump, tani për tani, nuk e afektojnë negativisht Kosovën”, ka thënë Kupina.
Kjo deklaratë nga Presidenca u dha pasi Trumpi ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politikë.