Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë për përdorimin e propagandës për të manipuluar opinionin publik lidhur me çmimet e energjisë elektrike në Shqipëri.
Ajo ka publikuar të dhëna që tregojnë se çmimi i energjisë ka pësuar rritje dhe jo ulje, siç pretendohet nga qeveria. Sipas Tabakut, çmimi i energjisë ka shkuar nga 7.4 lek/kWh në vitin 2013 në 8.5 lek/kWh sot, duke e bërë energjinë elektrike më të shtrenjtë se në disa shtete të rajonit.
Tabaku theksoi se ndërsa shumë vende kanë ulur çmimet e energjisë, shqiptarët vazhdojnë të paguajnë më shumë për një sistem që, sipas saj, nuk i shërben interesit publik. Ajo i bëri thirrje qytetarëve dhe mediave të mos bien pre e propagandës qeveritare dhe të kërkojnë llogaridhënie për situatën ekonomike në vend.