Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se për një forcë paqeruajtëse evropiane duhet rreth 200 000 trupa. Ai tha se kështu mund të garantohet një marrëveshje armëpushimi me Rusinë në të ardhmen.
“Nga të gjithë evropianët? Të paktën 200.000 [trupa]. Ky është minimumi, përndryshe është e kotë”, tha Zelensky.
Ai duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos u shpreh se një forcë e tillë paqeruajtëse do të ishte vetëm njëra nga pjesët e garancive të përgjithshme të sigurisë që do t’i nevojiteshin Kievit, në rast se fillojnë bisedimet për armëpushim me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Ndërsa për Bloomberg News tha se për të qenë efektive një forcë paqeruajtëse, pjesa e saj duhet të jetë patjetër edhe trupat amerikane.
“Së pari, askush nuk do të rrezikojë pa Shtetet e Bashkuara. Së dyti, kjo mund ta ndajë NATO-n, t’i ndajë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Është ëndërr e Putinit ta ndajë këtë aleancë”, shtoi ai.