Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë prezantimit të programit të qeverisjes për arsimin u shpreh se do të hiqet mesatarja për pranimet në universitete dhe do të përgjysmohen tarifat e studenteve.
“Një qendrim tjetër ndaj studentëve. Pranimet në universitete do jenë tjera, nuk është më mesatarja ajo që udhëheq, jo, do të hiqet. Sigurisht që, pranimet do të jenë transparente. Tarifat do të përgjysmohen, minimumi. Unë e kuptoj dhe mirëkuptoj botën akademike, e cila për mungesë buxheti shikon te tarifat e studentëve një burim shumë të rëndësishëm të të ardhurave. Por garantoj se, buxheti do të dyfishohet për arsimin, ndërkohë tarifat, nuk mund të paguajë studenti në Shqipëri tarifë dy-tri herë më të lartë se studenti në Austri, apo se studenti në Gjermani, apo se studenti në Francë. Këto janë gjëra absurde, në një kohë kur prindërit te atyre studentëve kanë të ardhurat 5-6 herë më të mëdha se prindërit e këtyre këtu. Merr fund kjo!”, tha Berisha.
Ai theksoi se gjithashtu do të dyfishohen rrogat e mësuesve dhe rroga minimale e pedagogut do të jetë 2000 euro.
“Rrogat e mësuesve do të dyfishohen. Rroga minimale e pedagogut do shkojë në 2000 euro. Numri i studentëve për pedagogë do përgjysmohet. Nuk ishim afër standardit të OECD-së në vitin 2005, dyfishuam numrin e asistentëve dhe pedagogëve, shkuam në 11.600, nga 6000 që ishin, tani kanë zbritur përsëri në 6000, kanë ikur. Iu bëjnë superngarkesa, nuk i japin asnjë hapësirë për kërkime shkencore”, tha Berisha.