Naser Krasniqi dëshmoi sot në Dhomat e Specializuara në Hagë në rastin ku për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që akuzohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Ai tha se në mars të vitit 1999 është zgjedhur komandant i sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit në Brigadën 121, por ka deklaruar se pozita e tij thuajse ka qenë fiktive. Haxhi Shala ka qenë komandant i Brigadës 121 në të cilën Krasniqi ka shërbyer edhe si polic ushtarak.
“Mendoj që e kam thënë në një formë dhe kjo shkon përtej mundësive të kufizuara sepse edhe mundësitë e kufizuara më duket tepër. Prandaj, kam thënë në një rast se po të hiqeshin disa nga informacionet që i ka sjellë zotëri Baftiu atëherë kjo pozitë në Brigadën 121 mund të quhet pozitë fiktive.
Megjithëse edhe ato pak informacione që janë sjellë nga personi në fjalë nuk është se përmbajnë ndonjë informacion të rëndësishëm. Ai sigurisht që do t’ia përcillte UÇK-së në cilëndo njësi që do të haste dhe nuk nënkupton që ka qenë ndonjë informacion që ka qenë i nivelit të shërbimeve informative apo zbulim-kundërzbulimi”, ka thënë Krasniqi.
“E vlerësoj lartë zotin Selimi për kontributin e dhënë për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Në kontekstin e rrethanave të kohës, zoti Selimi mund të ketë bërë gjënë e duhur që i ka liruar të ndaluarit. Unë nuk jam këtu për ta vlerësuar një gjë të tillë. Unë jam këtu për të dëshmuar me korrektësi për atë që kam parë dhe që kam dëgjuar”, tha ai.