Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehet se qytetet dhe fshatrat po zbrazen çdo ditë, ndërsa ekonomia është bërë e papërballueshme për shumicën e qytetarëve.
“E keni parë boshatisjen e qendrave të qyteteve? A i keni parë fshatrat që sot janë të mbushur vetëm me pensionistë? Bujqësia nuk ka më të rinj që të punojnë tokën, ndërsa bizneset e ndershme po mbyllen njëra pas tjetrës.
Në këto 11 vite, qeveria ka ndërtuar një ekonomi të pakicës, një ekonomi të privilegjeve, duke dhënë favore fiskale, ligje speciale dhe heqje taksash për një grusht oligarkësh, ndërsa shumica e qytetarëve janë lënë në mëshirë të fatit.
Ne duhet të ndryshojmë këtë model ekonomik, duhet të ndërtojmë një sistem që mbështet njerëzit e ndershëm dhe punëtorë, që i jep vlerë punës dhe sipërmarrjes. Shqipëria ka qytetarë të jashtëzakonshëm, por fatkeqësisht ata nuk shohin më një të ardhme këtu dhe po largohen. Më 11 maj, shqiptarët do të mbështesin Partinë Demokratike për të ndalur këtë katastrofë” tha Tabaku.