Kryetari i Partisë Demokratike në Vlorë, Atird Hoxha, ka dhënë dorëheqjen nga posti për t’u përfshirë në garën e primareve për kandidaturën për deputet në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Ai tha se vendimi për dorëheqjen ka ardhur pas një reflektimi të gjatë dhe kërkon mundësi të reja për të shërbyer në një nivel më të lartë politik.
“Pas një reflektimi të gjatë dhe të kujdesshëm, kam paraqitur dorëheqjen time nga pozicioni i Kryetarit të Partisë Demokratike, Dega Vlorë, për të ndjekur një mundësi të re në procesin e primareve që pritet të zhvillohet brenda forcës sonë politike.
Gjatë periudhës që kam pasur nderin dhe privilegjin të shërbej në këtë rol, kam punuar me përkushtim dhe përgjegjësi për të përmbushur detyrimet e mia dhe për të kontribuar në një Parti Demokratike më të bashkuar, më të hapur dhe më të fortë. Kjo përvojë ka qenë një mësim i jashtëzakonshëm dhe një mundësi për të qenë pjesë e një grupi të mrekullueshëm njerëzish.
Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që më kanë besuar dhe mbështetur gjatë këtij rrugëtimi, kolegët e mi, bashkëpunëtorët dhe, veçanërisht, demokratët dhe qytetarët vlonjat. Mbështetja dhe bashkëpunimi juaj kanë qenë një burim frymëzimi dhe motivimi për mua.
Vendimi për t’u larguar nga ky rol nuk ka qenë i lehtë, por besoj se, me mbështetjen e demokratëve dhe me besim në Zot, është hapi i duhur për të avancuar më tej dhe për të shërbyer e kontribuar në një nivel tjetër.
Me mirënjohje të thellë, ju falënderoj për besimin dhe mundësinë që më keni dhënë.
Ju siguroj se përkushtimi im do të vazhdojë pandërprerë”, shprehet Atird Hoxha.