Policia greke ka arrestuar Jenis Tulja 44 vjeç, nga Tirana dhe Mirjan Guveli 45 vjeç nga Saranda. Ata akuzohen se me 15 dhjetor në Athinë kanë vraë Irakli Davellën dhe kanë plagosur Edi Lulo, i njohur si Edmond Hysa.
Sipas policisë, Edi Lulo është në gjendje më të stabilizuar shëndetësore, ka kontakt me ambientin dhe i përgjigjet stimujve, por ende nuk mund të flasë.
Një oficer policie, i cituar nga “Zougla”, ka theksuar se plumbi që e goditi ka përshkuar pjesën e pasme të kokës deri në pjesën e përparme.
Dy të arrestuarit dyshohen si vrasës me pagesë dhe u identifikuan pas gjurmimit të një automjeti “Renault” të përdorur në atentat. Makina u regjistrua për herë të parë nga kamerat e sigurisë katër ditë para ngjarjes në zonën e Nea Smyrnit. Pikërisht nga aty, më 15 dhjetor, autorët nisën rrugëtimin drejt Thrakomakedones.
Policia gjeti makinën të parkuar dy ditë pas atentatit dhe e vëzhgoi për dhjetë ditë, gjë që çoi në identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Gjithashtu, hetimet zbuluan se shtëpia e 45-vjeçarit në rrugën “Nikolaou Plastira” shërbente si bazë për planifikimin e atentatit.
Për të shmangur lidhjen me krimin, autorët përdorën katër automjete të regjistruara në emër të personave të tretë. Ata kishin mbajtur një profil të ulët: 45-vjeçari ishte i papunë dhe jetonte në një shtëpi pa qira, ndërsa 44-vjeçari, menaxher i një kafeneje, kishte regjistruar banesën e tij në emër të gruas.