-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arben Cici: Misioni i Perëndisë në Shqipëri

Kryesoret

Sot përcillet për në banesën e tij të fundit Kryepishkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi. Sot besimtarët ortodoksë të Shqipërisë, me peshën e dhimbjes së madhe në zemër, do të shoqërojnë Kryebariun e tyre të dashur drejt prehjes së tij të përjetshme.

Sot ortodoksia është në zi, sepse nuk do ta ketë më për së gjalli Kryepishkopin Anastas, zërin e tij kumbues, fjalën e tij të gjallë dhe ndriçimin engjëllor që falte për të gjithë. Po, nga sot, nuk do ta kemi për së gjalli Kryepishkopin Anastas; nuk do ta shikojmë atë mes nesh, por ngado do të shikojmë e do të ndjejmë trashëgiminë e tij; veprat e prekshme dhe të paprekshme, punët e Perëndisë dhe të njeriut që Ai na dërgoi, por mbi të gjitha dashurinë e Perëndisë.

Kryepishkopi Anastas zbriti si një Engjëll në Shqipërinë e përçudnuar fizikisht dhe shpirtërisht nga komunizmi, Ai gjeti një popullatë të përgjumur nga opiumi komunist dhe në një letargji të frikshme, të helmuar nga ateizmi ideologjik i diktaturës së proletariatit, një shoqëri larg, shumë larg dashurisë dhe besimit të Perëndisë.

Ai zbriti si një Engjëll në Shqipërinë, e gërmadhave, të shkatërrimit deri në themele të kishave, në një shoqëri që kishte marrë me gurë njerëzit e Perëndisë dhe kishte vrarë e persekutuar të gjithë ata që kishin guxuar të mendonin se nuk ka vetëm parti, por edhe Perëndi, një shoqëri në humnerën e padisë së besimit, të shkatërrimit shpirtëror dhe të mohimit të vlerave njerëzore, familjare dhe sociale.

Ai zbriti si një Engjëll me pishtarin e Perëndisë në dorë, në mes të errësirës për të shpërndarë dritën dhe fjalën e Perëndisë, për të çliruar shpirtrat nga zgjedha e mëkatit dhe e urrejtjes, për t’u dhënë atyre dashurinë, mirësinë, fjalën e Perëndisë dhe për t’u ndriçuar me guxim udhën drejt lirisë dhe të së vërtetës.

Ai erdhi te ne me misionin apostolik të Kryebariut tonë shpirtëror dhe ashtu si engjëll fluturoi për fjetjen në Zotin, për të na lënë barrën e rëndë të trashëgimisë së tij, atë të ndjekjes së udhës e gjurmëve të Tij, të ruajtjes së veprës së Tij dhe të pasurimit e përjetimit të kujtimit të Tij. Kryepiskopi Anastas ishte misionar i shpirtit dhe i veprës së Perëndisë.

Ai iu bind fjalës së Perëndisë dhe emri i Tij u bë i dashur dhe i respektuar jo vetëm brenda Kishës Orthodhokse në Shqipëri dhe besimtarëve ortodoksë shqiptarë, por dhe në mbarë Kishat e tjera orthodhokse kudo në botë dhe më tej. Kryepishkopi Anastas, mësues i ditur, i mençur, i urtë, personalitet dhe intelektual i papërsëritshëm, teolog e filozof, erudit, mendimtar e dijetar i shquar, akademik me vlera botërore, një emër i madh, një individ i veçantë, një figurë e shquar tregoi dashuri, devotshmëri, përkushtim dhe vendosmëri të palëkundur, të pathyeshme, të paepur e titanike për të bërë atë që nuk mund ta bënte askush në Shqipërinë tonë të dashur, të pasviteve të errësirës komuniste dhe që nuk e kishte bërë askush më parë, në historinë tonë.

Ai nuk u lodh asnjëherë të ndihmonte në forcimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare dhe raporteve e dialogut mes besimeve dhe komuniteteve fetare si dhe përhapjen e frymës së dashurisë, paqes dhe pajtimit, duke shmangur urrejtjen, duke promovuar faljen dhe respektin për të gjithë, pa marrë parasysh besimin, etninë apo statusin shoqëror.

Angazhimi i Tij për forcimin e autoqefalisë së Kishës Orthodhokse në Shqipëri, përmes ndihmës në krijimin e një hierarkie kishtare të fortë dhe mbështetjes së klerikëve të arsimuar është i jashtëzakonshëm, shumë i vyer dhe i pakthyeshëm, por mbi të gjitha Ai ka ndikoi thellësisht në rritjen e prestigjit të Kishës dhe Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Duke qenë një lider i shquar dhe i respektuar në mbarë botën e krishterë, Kryepishkopi Anastas dhe vepra e tij na lë mesazhin e fuqishëm për të respektuar dinjitetin e çdo njeriu dhe për të ndihmuar në bashkimin e komunitetit orthodhoks dhe ndërkombëtar, larg ndikimeve dhe ndërhyrjeve të qëllimshme politike.

Jeta e tij është një shembull i angazhimit të palodhur për Perëndinë dhe njerëzimin, një binom i fortë dhe i palëkundur që pati një ndikim të thellë teologjik dhe praktikal brenda komunitetit ortodoks dhe në shoqërinë tonë. Personaliteti i tij do të jetojë shumë përtej kohës së tij.

Përmes jetës do të përjetohet vepra dhe kujtimi i tij. Kemi detyrimin e madh ta kujtojmë gjithmonë me mirënjohje të thellë Kryepiskopin Anastas për përkushtimin e tij të paepur dhe veprën e jashtëzakonshëm që ka lënë në Kishën Orthodhokse dhe shoqërinë shqiptare.

Mungesa e tij do të ndihet gjithnjë më fort me kalimin e kohës ashtu siç edhe do të vlerësohet më shumë trashëgimia e tij, si një dritë udhëzuese për brezat që vijnë. Ai ka lënë një gjurmë të thellë dhe një udhë për t’u ndjekur, që do të jetojë përjetësisht, si një simbol i njeriut të Perëndisë, besimit, dashurisë dhe unitetit mes nesh.

Kambanat e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë do të bien sot për të përcjellë, me shumë dhimbje, drejt banesës së tij të përjetësisë Kryepiskopin e dashur Anastas, shqiptarin e mirë që jetën e tij ja përkushtoi Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, komunitetit ortodoks, Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit