Në mesnatë Kuvendi miratoi disa projektligje mjaft të rëndësishme. Dy ishin më të debatuarat. Në fund socialistët votuan zgjatjen me 2 vite të afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje, si dhe shtyrjen deri më 31 dhjetor 2026 të afatit për aplikimin për investime strategjike.
Me propozimin e sekretarit të përgjithshëm të PS-së të gjitha subjektet e hotelerisë, që përfitojnë statusin special brenda datës 31 dhjetor 2026, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për 10 vitet e ardhshme.
Deputeti Klosi tha se nga ky pr/ligj do të përfitojnë edhe 11 operatorë që do të bashkëpunojnë me brande ndërkombëtare, për të ndërtuar hotele me 4 – 5 yje në zonën me përparësi të zhvillimit të turizmit, pra 22 operatorë në total. Pandeli Majko, Erion Braçe dhe Petro Koçi abstenuan.
VOTIMI NE KUVEND
Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 29/2023 “Për tatimin mbi te ardhurat”, i ndryshuar, u prezantua nga deputeti i mazhorancës Blendi Klosi, i cili kërkoi përmes ndryshimit të propozuar, shtimin me 2 vite të afatit të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat të strukturave që kanë përfituar statusin special. Po ashtu, një tjetër pikë në ndryshimin e propozuar, ka të bëjë me lënien e një afati 3-vjeçar nga marrja e statusit deri në fillimin e investimit, pasi sikurse sqaroi Klosi, projekte të tilla kërkojnë periudha të gjata kohore. Ky projektligj u miratua me 68 vota Pro.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, u prezantua nga deputetja Pranvera Resulaj. Resulaj vuri në dukje se ky projekt është një mundësi shumë e mirë për zhvillimin ekonomik të vendit, i cili parashikon zgjatjen e afatit për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese, që dëshirojnë të përfitojnë lehtësirat e parashikuara nga ligji “Për investimet strategjike”. Gjithashtu, shtoi se ka një interes shumë të lartë të subjekteve për investime, dhe fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10-vjeçarin e fundit. Ky projektligj u miratua me 73 vota Pro.
Kuvendi miraton ligjin për investimet strategjike, hekurudhën dhe pensionet