Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të nënshkruajë të shunën një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave të reja prej 25 për qind për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja dhe 10 për qind për importet nga Kina, mbi tarifën aktuale ndaj këtij vendi.
Presidenti, i cili po punon këtë fundjavë nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago të Floridës, tha një ditë më parë se këto vende nuk mund të bëjnë asgjë për t’i parandaluar tarifat.
Zoti Trump caktoi 1 shkurtin si afatin për t’i shtyrë këto vende të ndërmarrin veprime të ashpra për të ndalur emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin e drogës.
Presidenti amerikan gjithashtu është zotuar që t’i përdorë tarifat për të nxitur prodhimin benda vendit. Kanadaja dhe Meksika kanë thënë se kanë përgatitur plane për tarifa hakmarrëse, që do të përdoren nëse është e nevojshme.
Kryeministri kanadez tha të premten se vendi i tij është gati të përgjigjet nëse zoti Trump vendos tarifa, por nuk dha më shump hollësi.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, tha dje se vendi i saj ka mbajtur një dialog të hapur me zotin Trump që përpara se ai të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, por nënvizoi se Meksika ka “një plan lidhur me çdo vendim që mund të marrë qeveria e Shteteve të Bashkuara”./VOA