Java e ardhshme, nga 2 deri më 8 Shkurt 2025, do të sjellë një ndryshim të dukshëm në kushtet atmosferike pas një periudhe të ngrohtë dhe me diell. Një depërtim i masave ajrore të ftohta nga veriu do të ulë temperaturat dhe do të sjellë mundësi për reshje bore në disa zona, veçanërisht në relievet malore të veriut dhe lindjes.
Në ditën e Hënë, 3 Shkurt, priten vranësira mesatare deri të dendura me reshje shiu të herëpashershme, ndërsa nga e Martja reshjet do të fillojnë të pakësohen dhe moti do të ndriçohet. Dita e Mërkurë dhe e Enjte do të karakterizohen nga mot i kthjellët, por me temperatura të ulëta gjatë mëngjesit.
Dita e Premte, 7 Shkurt, do të sjellë një tjetër valë të ajrit të ftohtë, me rikthim të vranësirave dhe reshjeve të shiut, që në zonat malore do të shndërrohen në borë.









