Një kabinë elektrike është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme (3 Shkurt) në hyrjen e një pallati në qytetin e Fierit, duke shkaktuar alarmim mes banorëve të lagjes “11 Janari”.
Ata kanë njoftuar menjëherë zjarrfikësit, të cilët kanë ndërhyrë për të shuar flakët dhe për të parandaluar shpërthime të mundshme.
Nga informacionet e siguruara, duket se shkaku i këtij incidenti mund të ketë qenë mbingarkesa në rrjetin elektrik. Hetimet për ngjarjen janë ende aktive dhe po hetohen rrethanat e plota. Sipas autoriteteve, nuk ka pasur të lënduar, vetëm dëme materiale.