Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka folur në lidhje me protestën që opozita ka thirrur më 8 shkurt, duke theksuar se do të jetë një nga protestat më madhështore të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.
Ai u shpreh se ka shumë arsye për të protestuar, duke përmendur shpopullimin, varfërinë, krimin, korrupsionin, dhe luksin e qeverisë si faktorët që kanë shtyrë qytetarët të dalin në rrugë.
“Protesta e të shtunës është një protestë të cilën ne presim të jetë më madhështorja e zhvilluar ndonjëherë. Cdo shqiptar ka 1001 arsye për të protestuar kundër këtij regjimi. Shpopullimi, varfëria, krimi, mafia korrupsioni, luksi qeveritar janë argumente për cdo shqiptar për tu ngritur kundër kësaj qeverie.
Ne i dinim këto, por kur dalin nga numri dy i qeverisë përbën një fakt madhor. Është një protestë për shkak se sot çdo shqiptar ndihet i vjedhur, i nëpërkëmbur, jo i lirë, por i shantazhuar nga pushteti.
Deri ditën që doli Arben Ahmetaj me fakte dhe prova askush nuk e dinte që kryeministri i këtij vendi shfryhej me një luks të shfrenuar. Kjo gjë nuk ndodh as me sheikët.
Protesta e të shtunës do jetë protesta e njerëzve të lirë kundër kësaj batërdie që zhvillohet në vendin tonë”, tha Flamur Noka.
Po ashtu Flamur Noka u shpreh se protesta do te jete ne formë marshimi, qytetare dhe civile.
“Ditën e shtunë ne ftojmë cdo qytetar që ndihet i vjedhur, i dhunuar, që ndjen mbi kurriz luksin dhe babëzinë qeveritare të ngrihet në këmbë. Ftojmë qytetarët të bëhen pjesë e një protestë qytetare, marshim qytetar dhe civil. Unë do jem me bashkëshorten, fëmijët nipëra dhe mbesa aty në bulevard“, deklaroi deputeti i PD.