Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj së bashku me arkitektin e BIG, Bjare Ingles kanë inspektuar punimet për Teatrin e Ri. Veliaj u shpreh se infrastruktura e nëntokës e Tetarit të Ri ka përfunduar dhe së shpejti nis puna në sipërfaqe.
“Kemi mbaruar punimet nëntokë dhe kemi dalë mbi sipërfaqe. Jemi gati të hedhim beton dhe të shohim madhështinë e teatrit të ri. Mund të themi se ia ka vlejtur çdo betejë, çdo debat, çdo dikutim, të gjitha ato cic-micet tona ballkanike. Ndihem mirë që në vitin kur Tirana mban titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut”, po ndërtohet Teatri i Ri, një vepër që do t’i mbetet qytetit në përjetësi. Do të kemi edhe një hapësirë për të ruajtur nostalgjinë e teatrit të vjetër, por ndërkohë po bëjmë një ndërtesë për 100 vitet e ardhshme. Një ndërtesë ku nuk do të duhet të vijmë me peshqir gjatë verës, as me batanije gjatë dimrit, por një ndërtesë për të gjithë artdashësit dhe sigurisht, një ndërtesë të denjë për artistët”, u shpreh Veliaj.
Ndërsa arkitekti Bjarke Ingles tha se transformimi që ka pësuar Tirana është i pabesueshëm. Ai u shpreh se brenda një viti do të bëhet e gjithë struktura e ndërtesës dhe më pas do të filojnë punimet e brendshme.
“Për herë të parë në Tiranë kam ardhur në vitin 2010 dhe transformimi që ka ndodhur është i pabesueshëm. Më në fund, pas gjithë kësaj pune, kemi dalë mbi nivelin e tokës dhe mund të shihni konturet e ndërtesës, si një lloj fishekzjarre e madhe prej letre, e rrudhur në mes, e cila krijon një hapësirë publike, pothuajse si një skulpturë që qëndron në një shesh publik. Brenda një viti, ne duhet të kemi të gjithë strukturën e ndërtesës dhe pastaj do të fillojmë të detajojmë punimet e brendshme”, tha ai.